LAJMET FAKE NË DEMOKRACINË E BRISHTË

29 November 2017
Read in:

Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe i rrjeteve sociale e ka bërë shumë më të shpejtë edhe përhapjen e lajmit, por në të njëjtën kohë ka shtuar edhe rrezikun e moskontrollimit të lajmeve që i ofrohen publikut. Bota është shndërruar në një “fshat global” (McLuhan, 1962), ku lajmi brenda pak minutash përhapet në të gjithë botën. Ndërkohë që gazetaria e shkruar venitet dhe lajmet që paraqet janë më shumë në formën e komenteve, opinioneve, kolumneve, hulumtimeve dhe investigimeve, portalet janë fuqizuar, duke u bërë kështu bartëset më të shpejta të publikimit të lajmeve. Shpejtësia e publikimit të lajmit nga portalet dhe mënyra e paraqitjes si një ndërthurje e tekstit me imazhe, video etj., apo siç thotë Gozzini (Storia del giornalismo, 2011: 287), një hipertekst, ka thelluar krizën e letrës dhe e ka tërhequr publikun kah vetja. Dekada e fundit solli ndryshime të mëdha në gazetari, por vit pas viti, duket që lajmet e ofruara nga portalet tentojnë më shumë të anojnë kah sensacionalja dhe kah efekti, se sa kah e vërteta.

Qëllimi i këtij studimi empirik është të paraqesë gjendjen e gazetarisë online në Kosovë. Arsyeja e zgjedhjes së këtij vendi është praktike, e shtyrë nga njohja e kontekstit të objektit, përkatësisht njohja e zhvillimeve historike dhe politike që kanë kushtëzuar edhe zhvillimin e mediave kosovare. Ky studim si i tillë tenton të tregojë se si interesat politike dhe përfitimet financiare kanë shkaktuar kaos në mediat e Kosovës, duke e shndërruar kështu gazetarinë online në një surrogat. Ekonomia e klikimeve dhe përfitimet prej tyre, kontrollimi politik i tyre, niveli i ulët ekonomik, papunësia, kriza politike etj., kanë bërë që shumica e lajmeve të servirura nga portalet, të mos kenë prioritet faktin dhe të vërtetën, por efektin dhe gënjeshtrën.

Ky shkrim jep një panoramë të zhvillimit të gazetarisë online, e cila nën kontrollin e fortë të partive politike kosovare, ka dështuar të përmbushë misionin e saj, atë të paraqitjes së të vërtetës.

Vend në tranzicion, media në tranzicion

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e mbajtur gjatë periudhës 1912-1913, më 29 korrik të vitit 1913, njohu formalisht Principatën e Shqipërisë si shtet Sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, ndërkohë që pas presionit të ushtruar nga Greqia dhe Serbia, në këtë konferencë u mor edhe vendimi i kufijve të Shqipërisë, duke e cenuar atë, dhe duke e lënë Vilajetin e Kosovës dhe Çamërinë jashtë territorit të saj. Kosova iu dha Serbisë, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Kjo ndarje përcaktoi edhe kalvarin historik të Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të grupimeve të ndryshme, apo personaliteteve të veçanta, Kosova nuk mundi të shkëputej nga Serbia deri në vitin 1999, kur trupat e NATO-s sulmuan serbët dhe sollën çlirimin e Kosovës. Gjatë kësaj kohe, pavarësisht kontrollit të regjimit të Millosheviçit, lajmet arritën të përçohen edhe nëpër botë dhe për këtë një ndihmesë të madhe dha interneti. Një reflektim i parë i rëndësishëm i pranisë së Internetit në frontin e informacionit ka ardhur në vitin 1998, gjatë luftës në Kosovë: Kontrolli i ashpër i lajmeve i themeluar në Serbi nga regjimi i Millosheviçit nuk mundi t’i shtypë zërat e individëve dhe grupeve që besonin në rrjetin telematik… (Gozzini, 2011: 286).  

Zgjedhjet e para në Kosovën e lirë u mbajtën në vitin 2001, ndërsa pavarësia u shpall në datën 17 shkurt të vitit 2008.

Lufta në Kosovë dhe shpallja e vonë e pavarësisë, shtetin e ri e kanë vënë para shumë provave. I ri në qeveri, i ri në institucione, i ri në arsim, i ri në ekonomi, i ri në shëndetësi, i ri në kulturë, ky shtet ka mbetur i ri edhe në media.

Kosovës nuk i kanë mjaftuar 10 vjet pavarësi për të stabilizuar situatën politike. Kriza në të cilën ndodhet vendi u pa edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor 2017, ku pavarësisht formimit të koalicioneve parazgjedhore, asnjë koalicion, apo parti nuk mundi të marrë numrin e nevojshëm për të formuar qeverinë. Populli e tha fjalën e tij, ai nuk beson në partitë politike që udhëheqin Kosovën dhe është lodhur nga korrupsioni dhe skandalet e qeverive paraprake. Ndërkohë që koalicioni që ka marrë më shumë vota në këto zgjedhje, PAN-i (“Partia Demokratike e Kosovës”, “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, “Nisma për Kosovën”) tenton të plotësojë numrin e deputetëve për të qeverisur Kosovën në 4-vjeçarin e ardhshëm, gjendja ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore etj., nuk premtojnë ndonjë ndryshim të madh.

Ekonomikisht Kosova ka ngelur në vend numëro, pasi renditet ndër vendet më të varfëra të Ballkanit, ku shkalla e papunësisë, në raport me numrin e popullsisë është frikësuese. Shumica e familjeve jetojnë me asistencë sociale, ose mbahen nga familjarë që punojnë dhe jetojnë jashtë Kosovës. Shëndetësia është në gjendje katastrofale, pasi spitalet nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për të kuruar njerëz, qoftë nga mungesa e stafit të specializuar, qoftë nga mungesa e aparaturave, qofte nga mungesa e medikamenteve, qoftë në pastërti. Jeta kulturore thuajse nuk funksionon, pasi partishmëria është bërë kriter për mbështetjen e artit. Ndërsa rezultatet e PISA-s, që e renditi Kosovën në vendin e 68, nga 72 shtete ku ishte zhvilluar testimi dhe pezullimi i 131 programeve studimi nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (Agjencia e Kosovës për Akreditim) për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar akademik në Universitetin e Prishtinës dhe në universitete private, folën qartë për nivelin arsimor në Kosovë. Ndër programet e studimit të cilit iu mor akreditimi ishte edhe Departamenti i Gazetarisë, i cili këtë vit nuk do të ketë të drejtë të pranojë studentë në master dhe në doktoraturë. Të alarmuar nga kjo goditje, mediat menjëherë kërkuan shpjegim nga Universiteti i Prishtinës, përkatësisht nga rektori Marjan Demaj, i cili u shpreh se: “Faji kryesor për pezullimin e programeve është se nuk kemi kuadro. Ne jemi shumë të kufizuar, realisht jemi si servilë që kryejmë punët mbi statusin e arsimit të lartë” (shih linkun:http://telegrafi.com/dema-mungesa-e-kuadrove-shkak-pezullimit-te-programave-ne/), ndërkohë që rektori Demaj, Inspektoriati i Arsimit dhe mediat më të mëdha në vend, kishin refuzuar verifikimin dhe investigimin e shkeljes së kritereve të konkursit të fundit për pranim të stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë (si dhe në departamente të tjera të fakulteteve në Universitetin e Prishtinës), për shkak të prekjes së interesave politike.

Këto ngjarje historike dhe politike kanë ndikuar dukshëm edhe në zhvillimin e mediave në Kosovë, zhvillim i cili shfaq probleme të mëdha në çdo medium. Mediat televizive, mediat e shkruara dhe mediat online, paraqesin thuajse të njëjtat mangësi. Radio Televizioni i Kosovës, i cili financohet drejtpërdrejt nga qeveria është televizioni me financimin më të madh dhe me nivelin më të dobët në Kosovë, sa i përket stafit dhe emisioneve që i servir publikut. Ndërsa televizionet e tjera, të mbushura me telenovela turke dhe spanjolle thuajse nuk kanë asgjë edukative për t’i dhënë publikut. Nga gazetat e shkruara, “Koha Ditore”, e cila ka edhe portalin e saj koha.net, mund të konsiderohet si gazeta më e paanshme politikisht dhe më serioze në Kosovë.

Gazetaria investigative, që do të duhej të ishte kryesore në zhvillimet e gazetarisë në Kosovë është thuajse inekzistente, me përjashtim të emisionit “Jeta në Kosovë”, emisionit “Zona Express”, disa hetimeve të gazetës “Koha Ditore”, të portalit “Insajderi” dhe të gazetës “Zëri”. Por, gjithsesi investigimet e këtyre mediumeve të lartpërmendura janë kryesisht të atilla, sipërfaqësore, që nuk arrijnë ta shqetësojnë udhëheqësinë politike.

Mediat e shkruara dhe mediat online kanë dështuar në luftimin e korrupsionit që është shtrirë në çdo sferë të jetës në Kosovë, pasi shumica prej tyre drejtohen nga persona që lidhen ngushtë me politikën. Ky dështim vërehet në heshtjen e shkeljeve që bëhen nga ministri të ndryshme dhe nga institucione shtetërore, vërehet në heshtjen ndaj ekstremizmit fetar që është shtrirë kudo në Kosovë dhe vërehet në heshtjen e krimeve, shkeljeve, korrupsionit etj., të personaliteteve politike. Pra, mediat në Kosovë më nuk udhëhiqen nga fjala e lirë, por nga fjala e kontrolluar. Politika e tyre është manipuluese, me qëllim klikimin që ju sjell përfitime dhe dezinformimin, për shkak të interesave të partive politike prej të cilave financohen.

Gazetarët/politikanët e ardhshëm

Mediat në Kosovë nuk janë të pavarura, ato drejtohen dhe dirigjohen nga partitë politike. Këtë e vërteton edhe aderimi i disa gazetarëve dhe ish-gazetarëve në parti politike. Zgjedhjet e parakohshme nxorën në dritë edhe preferencat politike të shumë gazetarëve.

Rasti që shkaktoi më së shumti zhurmë dhe zemëratë të opinionit publik në Kosovë ishte ai i kryeredaktores së Gazetës Zëri, Arbana Xharra, e cila, pasi kishte bërë një sërë hetimesh dhe shkrimesh kundër “Partisë Demokratike të Kosovës” për shkeljet dhe korrupsionet e kësaj partie dhe të anëtarëve të saj dhe kryesisht ndaj kryetarit të kësaj partie, hetime që ishin shpërblyer me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, në qershor të këtij viti shokoi publikun duke aderuar në po të njëjtën parti që e kishte kritikuar prej vitesh (Ngjashëm kishte ndodhur edhe disa vjet më parë kur e njëjta parti kishte anëtarësuar brenda saj kryeredaktoren e gazetës Kosova sot, Margarita Kadriun). Pavarësisht kritikave të opinionit publikut, ish-kryeredaktorja e Gazetës Zëri nuk kishte një përgjigje për publikun që kishte besuar në luftën e saj kundër korrupsionit, dhe si çdo gjë tjetër në Kosovë, u deshën vetëm pak ditë që kjo çështje të heshtej. Përgjigjja për këtë rast është e thjeshtë, gazetaria në Kosovë nuk funksionon e pavarur nga partitë politike dhe askush nuk beson në mitin se një gazetar mund të demaskojë dhe madje të rrëzojë qeveri që janë të mbytura në korrupsion.

Drejtori i gazetës më të madhe online në Kosovë, Gazeta Express, Berat Buzhala ishte deputet i “Partisë Demokratike të Kosovës”, çka flet qartë për pozicionimin e këtij portali.

Gazetari, shkrimtari dhe analisti politik, Halil Matoshi, i njohur dikur si përkrahës dhe pjesë e partisë “Lidhja Demokratike e Kosovës”, aderoi në partinë “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, aderim të cilin e shoqëroi me deklaratën e tij bombastike që siç i kishte besuar më parë kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, tashmë i beson kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Gazetari, eksperti i mediave, analisti politik dhe ish-këshilltari i ish-Kryeministrit dhe ish-kryetarit të “Partisë Demokratike të Kosovës”, Dukagjin Gorani, kumtoi lajmin e aderimit të tij në partinë “Vetëvendosje”.

Gazetari Milaim Zeka, që po ashtu njihet për kritika të shumta kundrejt partive politike dhe qeverisë që kishte udhëhequr Kosovën gjatë mandatit të kaluar, aderoi në partinë “NISMA për Kosovën”.

Këto janë vetëm disa nga rastet e gazetarëve që u bashkohen haptazi partive politike, por ka edhe plot të tjerë që në mënyrë të hapur, ose të fshehur punojnë në të mirë të këtyre partive. Hipokrizia e gazetarëve ka rrënuar besimin në media dhe ka shuar shpresën e qytetarëve për një të ardhme më të mirë në këtë vend. Se shumica e qytetarëve të Kosovës janë të lodhur nga kjo gjendje, kjo u dëshmua edhe nga numri i kosovarëve që kërkuan azil në Gjermani dhe në vende të tjera europiane.

Politika e gazetave online, Fake vs Fact

 Kosova numëron mbi 300 portale të cilat nuk kontrollohen nga asnjë institucion për shpërndarje të lajmeve të rrejshme, ose pjesërisht të rrejshme. Shumica e gazetave online në Kosovë nuk e zbatojnë kodin e mediave, lajmet që paraqesin nuk janë të verifikueshme përsa i përket burimit prej nga vijnë, fakti dhe të dhënat janë zëvendësuar nga hamendësimet dhe opinionet personale të gazetarëve, lajmet që merren nga portalet e tjera, në shumicën e rasteve nuk e tregojnë burimin fillestar, dezinformojnë opinionin publik dhe manipulojnë opinionin publik.

Portalet në Kosovë janë të dy llojeve, gazeta të përditshme që janë shndërruar edhe në portale, dhe gazeta që funksionojnë vetëm online, pra si portale. Portalet më të njohura në Kosovë janë: Express, Zëri, Kosova sot, Infopress, Bota sot, Telegrafi, Infokusi, Insajderi, Koha, Periskopi etj. Shumica e këtyre, ose udhëhiqen nga persona të partive politike, ose mbajnë haptazi anë politike.

Si portale të etura për klikueshmëri, ato plasojnë ngutshëm lajme të paverifikuara dhe shpesh të rrejshme. Ashtu siç u mungon kultura gjuhësore (gjuha në portale në shumicën e rasteve është e paredaktuar, kurse lajmet nga gjuhët e tjera shpesh përkthehen me “google translate”, që e deformon sintaksën shqipe dhe shpesh e devijon kuptimin), portaleve shpesh u mungon edhe etika e gazetarisë profesionale. Lajmet e rrejshme, apo lajmet fake, janë të pranishme thuajse në çdo portal që vepron në Kosovë dhe vijnë në disa forma, manipulim me titullin, manipulim me përmbajtjen, mashtrim me titullin dhe përmbajtjen, apo lajme pjesërisht të rrejshme, me synimin e vetëm, tërheqjen e vëmendjes së lexuesit për të klikuar lajmin. Qëllimi parësor i këtyre lajmeve është klikimi dhe kënaqja e orekseve të partive politike.

Më poshtë do të japim disa tipa ilustrativë të lajmeve fake që qarkullojnë nëpër mediat online të Kosovës.

Tipi i parë i lajmeve është ai që në titull paralajmëron një informatë, ndërsa përmbajtja nuk përkon me titullin. Një shembull i këtij tipi është edhe ky lajm i publikuar nga Koha.net (në datën 4 korrik 2017, në orën 08:21) me titullin “AAK i përgjigjet ftesës së Mustafës për koalicion”, çka lë të kuptosh se partitë politike po i prishin koalicionet parazgjedhore vetëm me synimin e formimit të qeverisë, pavarësisht bindjeve politike të ndryshme që ata kanë. Por, brenda saj lajmi nuk tregon asgjë të tillë, por ndërtohet mbi hamendësimin e njërit nga anëtarët e kësaj partie, i cili shprehet: “nuk është korrekte që lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të kërkojë nga Haradinaj ta prishë partneritetin me PDK-në për të bashkëpunuar me koalicionin LDK-AKR-Alternativa.”

Tipi i dytë i lajmit është ai që ndërtohet mbi bazën e pyetjes në titull dhe përgjithësisht i drejtohet një publiku naiv, si psh. “A e dini çka e ka ‘Ozani’ ‘Gylserenin’ në jetën e përditëshme” (gazeta Express, 22 prill 2016, ora 17:05). Lajme të tilla janë mbizotëruese në portalet kosovare, pasi targeti i këtyre portaleve është shtresa mesatare e popullsisë, e cila ndjek këto telenovela që ofrohen nga televizionet kosovare dhe kalon më së shumti kohë në internet.

Tipi i tretë i lajmit është ai që manipulon lexuesin mesatar dhe lexuesin elitar, si psh: “Rusia financoi lajmet e rrejshme kundër SHBA’së – kush po i financon në Kosovë?” (gazeta Express, më 10 qershor 2017, në orën 12:16). Ky titull nxit menjëherë kureshtjen e lexuesve, pasi të gjendur në një situatë ku mediat janë në krizë, të gjithë kërkojnë një përgjigje për këtë kaos të shkaktuar. Përmbajtja e lajmit është tërësisht ndryshe nga ajo që kuptohet nga titulli, pasi është një ndërthurje mes të dhënave të publikuara nga mediat amerikane, shkrimit të profesorit të Etikës dhe kolumnistit të gazetave, Peter Signer, vendimeve të kabinetit të Angela Merkel-it për lajmet fake dhe një pjese për Kosovën, që duket se është thjesht opinion i gazetarit të tekstit. Lexuesi, që domosdoshmërisht interesohet më shumë për pjesën e Kosovës mbetet i habitur kur vëren se të vetmet pjesë për Kosovën në këtë shkrim, nuk përkojnë aspak me titullin. “Lajmet e rrejshme janë shpeshtuar edhe në Kosovë. Sidomos në prag të zgjedhjeve. Disa parti politike po shpërndajnë lajme të rrejshme për kundërshtarët politikë (…) Në Kosovë lajmet e rrejshme nuk mund të trajtohen nga Kodi Penal për shkak se shpifjen dhe fyerjen nuk i cilëson si vepra penale. Këto dy vepra janë dekriminalizuar dhe mund të ndiqen me padi civile ndaj atyre që janë shkruar.”

Tipi i katërt i lajmit është ai që paraqet informacione të pavërteta prej në titull dhe burimin e përmbajtjes e ka tërësisht të paverifikueshëm, si psh: “Reuters: George Washington ka prejardhje shqiptare”, publikuar nga gazeta Zëri (në datën 26 korrik 2016, në orën 22:32). I njëjti lajm me të njëjtin titull dhe përmbajtje është publikuar nga gazeta Infopress (në datën 29 qershor 2017, në orën 23:20). Asnjëra nga këto portale, pavarësisht se lajmi është tërësisht i pavërtetë, nuk e kanë hequr ende prej portaleve të tyre. Ky lajm ka qarkulluar prej vitit 2011, nëpër disa pseudoportale, ndërsa në 1 prill të vitit 2011, e përditshmja “Koha Ditore”, duke ndjekur një traditë të publikimit të një lajmi të pavërtetë me rastin e ditës së gënjeshtrës (traditë tashmë disa vjeçare e kësaj gazete), e publikoi këtë lajm, por duke e shoqëruar në fund më shënimin “Aprililili”, që nënkupton shkakanë e kësaj gazete. Portalet e lartpërmendura, e kanë marrë këtë lajm vite më vonë dhe e kanë publikuar si të mirëqenë, madje duke iu referuar gazetës Reuters.

“Nëna e presidentit historik amerikan ishte shqiptare me prejardhje nga rrethi i Pejës. Vetë presidenti Washington thuhet ta ketë lënë një letër-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve nga Amerika në çdo kohë dhe në çdo mënyrë (…) Instituti i Biokimisë dhe i Gjenetikës, me seli në Schafhausen të Zvicrës, ka publikuar rezultatet e hulumtimit më të ri gjenetik të liderëve botërorë, sipas të cilave del se presidenti historik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Washington, ka qenë me prejardhje shqiptare” (gazeta Zëri).

Tipi i pestë i lajmit është ai që duke përdorur piramidën e përmbysur, na e jep informatën prej në titull. Në shembullin e mëposhtëm do të vërejmë që titulli, ashtu si edhe përmbajtja janë të vërteta, por koha kur ka ndodhur ngjarja nuk përkon me kohën kur është publikuar lajmi.

Në datën 7 korrik 2017 (në orën 09:21) portali arbresh.info (që mban poshtë emrit moton “vetëm lajme të sakta”) publikon lajmin me titull “Nisen për pushime, vdesin 3 nga 5 anëtarët e familjes”. Në orën 09: 33, portali INFOKUSI.com (media online), publikon të njëjtin lajm, me të njëjtin titull. Në orën 10:29, portali Periskopi.com, po ashtu publikon të njëjtin lajm, me të njëjtin titull. Pra, nga sa shohim më sipër, portali i parë, duke përdorur piramidën e përmbysur, pra informatën kryesore na e jep prej në titull, por kjo sigurisht bëhet për qëllime klikimi dhe efekti dhe jo për të zbatuar rregullat e gazetarisë. Shikuesi/lexuesi shqiptar, apo shqipfolës, i tronditur nga ky lajm, e klikon atë më shpejt sesa do ta kishte klikuar nëse titulli nuk do ta përfshinte numrin e të vdekurve. Me kaq sa thamë më sipër, ky lajm nuk do të hynte në studimin tonë empirik, pasi raste të tilla gjen çdo ditë në çdo portal, por ajo çka na tërheq vëmendjen, është se kur hyn në brendi të lajmit pëson “shokimin” e radhës. Lajmi që mban datën e 7 korrikut 2017, në të vërtetë është i vitit 2014, kur edhe ka ndodhur ngjarja.

Ky lajm përveçse thyen çdo rregull të gazetarisë, luan edhe me ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, pasi gjasat që ata ta lexojnë lajmin janë të mëdha. Asnjë organ ende nuk ka marrë masa për këto portale që kanë publikuar këtë lajm, dhe asnjëri nga portalet nuk e ka hequr lajmin.

Ndërkohë që lajmet e rrejshme në këtë gjendje politike të trazuar, ku ende asnjëri koalicion nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të formuar qeverinë, gëlojnë nëpër portale, duke u shoqëruar kështu me demantime nga personat apo subjektet e prekura nga këto lajme, asnjë institucion i Republikës së Kosovës nuk është i aftë t’i hetojë dhe t’i dënojë këto raste.

E ardhmja e gazetarisë

Kriza e krijuar në shoqërinë kosovare ka krijuar një gjendje amullie në të gjithë vendin. Për të ndryshuar drejtimin që kanë marrë mediat në Kosovë, së pari do të duhej një ndryshim drastik në partitë politike në Kosovë. Këto parti që kanë udhëhequr dhe do të udhëheqin Kosovën do të duhej që prioritet të kishin të ardhmen e vendit dhe jo interesat e tyre personale dhe kontrollin mbi “fjalën e lirë”. Ndërsa qytetarët kosovarë, të preokupuar me çështjet ekzistenciale, të izoluar nga pjesa tjetër e botës, të rrezikuar prej shtetit të tyre, kanë hequr dorë nga kritikat, kurse kriza e mediave për ta mbetet shqetësimi i fundit. Vetëm në një normalizim të situatës politike, institucionale dhe sociale do të mund të flisnim për një normalizim në media. Atëherë kur gazetarët të jenë vërtet të pavarur, të lirë dhe të mbrojtur nga shteti, gazetaria do të mund të ecë në rrugën e saj të së vërtetës.

Umberto Eco, në një ligjëratë mbi mediat, kishte thënë se “Mediat sociale ua kanë dhënë   të drejtën e fjalës budallenjve që më përpara flisnin vetëm në bare pasi pinin një gote me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Këtyre u mbyllej goja menjëherë, ndërsa tani, ata kanë të njëjtën të drejtë fjale si një fitues i çmimit Nobel. Ky është pushtimi i budallenjve.”, prandaj, sipas Eco-s, “gazetat duhet t’i dedikojnë të paktën dy faqe analizës kritike të faqeve online, ashtu si mësuesit duhet t’i mësojnë nxënësit se si përdoren këto faqe online, kur ata të bëjnë detyrat. Të dish të kopjosh është virtyt, por ajo çka duhet të bësh është të krahasosh informacionet për të kuptuar nëse janë të besueshme, apo jo.1

Derisa në Kosovë nuk zbatohet ligji kundër shpifjes dhe fyerjes dhe derisa nuk krijohen komisione apo mjete për filtrimin e informacioneve, është e kuptueshme që gazetaria online do të përdorë të gjitha mundësitë e manipulimit me lajme të rrejshme për të siguruar sa më shumë klikime që kthehen në të ardhura ekonomike.

 

(Ky artikull është pjesë e temës bosht të konferencës “Dezinformimi dhe Demokracia”, organizuar nga Eurozine në fund të shtatorit 2017. Shkrimin mund ta lexoni edhe në gjuhën angleze në faqen online në www.eurozine.com )

  1. www.ilmessaggero.it/societa/persone/umberto_eco_attacca_social_network_imbecilli-1085803.html

Published 29 November 2017

Original in Albanian
First published in Symbol 11 (2017) (in Albanian) / Eurozine (in English)

Contributed by Symbol
© Orjela Stafasani / Symbol / Eurozine

PDF / PRINT

recommended articles