Qytetari e lëvizshme?

Qasjet ndaj migrimit shpesh i përkasin njërës ose tjetrës prej këtyre dy fushave: armiqësi anti-neoliberale ose eufori ndaj “rrjedhave”. Megjithatë, “lëvizshmëria e re” implikon liri të reja, sikurse implikon privacione të reja. Ivaylo Ditchev hulumton biografi të migrantëve bullgarë, për të zbuluar aty se horizonti i nisjes është shndërruar në përmasë themelore të botës. Lëvizshmëria, shkruan ai, duhet marrë më seriozisht nga antropologjia e qytetarisë.

Sot është bërë intelektualisht e modës të flitet për “lëvizshmëri të re” [new mobility], sikurse ishte e modës, në vitet 1970 dhe 1980, të përmendej “gjendja post-moderne” dhe, në vitet 1990, “identiteti”. Tani të gjithë flasin për “rrjedha” [flows] dhe “dialektikën e lëvizshmërisë dhe ankorimit.”1 Ky lloj diskursi, edhe pse i modës, nuk duhet nënvlerësuar. Nëse të gjithë, nga Tokyo në Los Angeles, fillojnë të flasin, papritur, për diçka, atëherë kjo nuk varet vetëm nga politikat kulturore, fjalët e modës për institucionet ose dëshira e autorëve për të qenë interesantë.

Për mua, të tri këto moda janë simptomë e krizës së qytetarisë kombëtare moderne klasike dhe të kërkimit për alternativa. Mendimi post-modern e estetizon këtë krizë, luan me eklekticizmin e saj, nxjerr përfundime hedoniste nga kolapsi i rendit moral. Problematika identitare, e nxjerrë në pah në Europën jug-lindore gjatë luftërave ballkanike, rreket ta ri-interpretojë rendin social nëpërmjet modeleve, traditave, madje edhe përmbajtjeve kulturore; për t’ua transmetuar komuniteteve funksionet e institucioneve moderne në krizë. Më në fund, tematika e rrjedhave shënjon edhe momentin e dorëzimit para faktit se përkufizimet territoriale të botës kanë ndryshuar përgjithmonë dhe se tash e tutje duhet të kërkojmë për forma të reja të demokracisë. Të tri këto regjime diskursive përfaqësojnë kërkime për një kuadër referencial brenda një bote ku kufijtë po bëhen të lëvizshëm.

Lëvizshmëria shkakton reaksione ambivalente. Nga njëra anë, kemi negativizmin e skajshëm ndaj neoliberalizmit, për të mos thënë imperializmit amerikan (p.sh. në Le Monde Diplomatique). Nga ana tjetër, kemi euforinë e lirisë, të horizonteve të reja, të përshpejtimit të historisë, siç dëshmohet shpesh në sociologjinë britanike (p.sh. te John Urry e të tjerë). Duket sikur mungesat në qytetarinë europiane kompensohen nga investimet diskursive në korridoret trans-nacionale të transportit: qytetarët e munguar zëvendësohen nga rrjedhat dhe rrjetet.2 Megjithatë, për të mos humbur lidhjet me realitetin, duhet të analizojmë më parë të drejtat e reja që nënkupton qytetaria e lëvizshme dhe sidomos përvetësimin subjektiv dhe praktikën e këtyre të drejtave përtej normave të shkruara dhe dokumenteve zyrtare. Ky ishte edhe qëllimi i studimit që kam kryer në 2006, rezultatet e të cilit do t’i parashtroj në vijim.3

Shifrat

Surpriza e parë për studiuesin që merret me migrantët e rinj bullgarë është që askush nuk e di numrin e saktë të tyre. Për shembull, Agency for Bulgarians Abroad (Agjencia për bullgarët jashtë Bullgarisë) vlerëson se midis 300 000 dhe 900 000 “të rinj bullgarë” jetojnë në Europë dhe në ShBA.4 Duke lënë mënjanë shpërfilljen e pakuptimtë që u bëhet migrantëve të moshuar, rezidentë të përkohshëm ose të paligjshëm, si dhe atyre në destinacione të tjera migrimi, mund të pyesim: Si është e mundur që një institucion shtetëror ta gjejë të pranueshëm përafrimin prej gjysmë-milioni?5 Një situatë të ngjashme kemi në nivelin lokal: vlerësimet e përafërta të popullsisë së një qyteti ndryshojnë në mënyrë dramatike, madje edhe kur për këtë shprehen funksionarë në krye të shërbimeve publike. Kjo mund t’u detyrohet, deri diku, interesave konfliktuale të autoriteteve lokale: kur kërkojnë fonde, këta preferojnë të deklarojnë sa më shumë banorë të qytetit; por kur vjen momenti për të raportuar për shërbimet që janë ofruar, është më mirë që numri i banorëve të jetë sa më i vogël.

Sa është “popullsia lundruese” [floating population] në Bullgari (për të huazuar një term të përdorur në Kinë, për popullsinë që zhvendoset në kërkim të punësimit, por që nuk mund ose nuk dëshiron të ngulitet në një vend përfundimisht6? Sociologët e vlerësojnë numrin e saj në mbi një milion,7 me fjalë të tjera, në mbi 13%; në krahasim me mesataren botërore prej 3%,8 çka është mjaft e madhe si shifër.

Të gjitha orvatjet për ta përkufizuar migrimin janë problematike. Për shembull, a mund të quhet migrant i përkohshëm dikush që kalon dhjetë vjet jashtë vendit të vet? A janë ata që lënë fëmijët në Bullgari migrantë të përhershëm? Vetë-vlerësimi subjektiv e rëndon problemin edhe më tej, meqë migrantët zakonisht e përkufizojnë veten në bazë të situatës së tyre të tanishme – për shembull, një konflikt me punëdhënësin jashtë shtetit e rrit probabilitetin për t’u kthyer në atdhe. Unë nuk po e ngre këtë problem këtu si hyrje apologjetike të detyrueshme ose si një farë ushtrimi psikologjik. Vështirësia për të folur për migrantët është strukturore: i ngjan parimit të pacaktueshmërisë të Heisenberg-ut në fizikë, sipas të cilit nuk mund të njohim njëkohësisht edhe masën edhe shpejtësinë e një thërrmije elementare.

Në një epokë kur udhëtimi është thjeshtuar, ku të huajt kanë më shumë të drejta dhe liri, ku diferencat kulturore merren në vështrim në mënyrë që të mund të zbërthehen dhe rimontohen më lehtësisht, horizonti i nisjes shndërrohet në përmasë themelore të botës. Natyrisht, njerëzit gjithnjë kanë mundur të ikin për ta kërkuar lumturinë gjetiu – por kjo ka kërkuar sakrificë.

Ose u është dashur të bëjnë luftë, ose të martohen, ose të pranojnë t’u nënshtrohen vendësve. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, duket sikur përpjekjet për të qëndruar dhe përpjekjet për t’u larguar janë bërë të krahasueshme mes tyre. Nëse ti qëndron në vendin tënd, duhet të luftosh për të drejtën tënde që të vazhdosh të bësh çfarë je duke bërë; nëse largohesh, mund t’i përmirësosh shanset e tua në tregun gjigant të qytetarive. Nga njëra anë, kemi pjesëmarrjen e vjetër territoriale; nga ana tjetër, “votimin me këmbë” (për të përdorur shprehjen gjermano-lindore të fundviteve 1980).9 Përmasa e lëvizshmërisë duhet të merret patjetër më seriozisht në antropologjinë e qytetarisë.

Nocioni i “migrantëve” që unë përdor këtu mbulon emigrantët e vonë, punëtorët stinorë dhe të paligjshmit. Edhe pasi e kanë rregulluar gjendjen e tyre në vendin mikpritës, migrantët ruajnë jo vetëm një lidhje emocionale me Bullgarinë, por edhe një adresë të regjistruar, prona të patundshme, lidhje profesionale, sigurim shëndetësor dhe kontakt me familjen e tyre (bashkëshorten/in dhe fëmijët) që shpesh e kanë lënë prapa. Këtu do të përqendrohem në migrantët “e ulët”, ose ata që nuk kanë ndonjë njohuri paraprake, kredenciale ose kontakte dhe, për këtë arsye, varen nga ndërmjetësit (miqtë, bashkëfshatarët, bashkëvendësit nga Ballkani, të afërmit, etj.). Gjatë procesit të migrimit, këta pothuajse gjithnjë humbin diçka nga statusi i tyre social: inxhinieri bëhet murator, mësuesja bëhet infermiere. Pakica e migrantëve “të lartë”, të cilët i lamë jashtë studimit – njerëz me kualifikime të njohura, kontakte paraprake, kredenciale, njohje të mirë të gjuhës së huaj – janë ata që, në thelb, mund të bëjnë përpara me forcat e veta. Periudha kohore është gjithashtu me rëndësi: vrojtimet e këtushme i referohen periudhës midis rënies së Murit të Berlinit dhe futjes së Bullgarisë në BE në janar 2007. Që nga ajo kohë lëvizshmëria natyrisht nuk është zhdukur, por të drejtat e reja që kanë fituar migrantët e kanë ndryshuar problemin.

Ç’pamje ka trajektorja ideale-tipike e migrantit? Sipas biografive që kemi mbledhur, ajo kalon nëpër katër periudha. E para është ëndrra. Pesimizmi i përgjithshëm ndaj së ardhmes së vendit, së bashku me imazhe të turbullta të botës përtej dhe përshtypje të dëgjuara prej miqve ose medias krijojnë një ndjenjë identifikimi me bashkatdhetarët që kanë emigruar me sukses, njëlloj siç identifikohemi me fituesit e lotarisë (ku përjashtimi, jo rregulli bien në sy). Në vend që të përllogaritin avantazhet dhe dobësitë e tyre dhe të ndërtojnë një strategji ekzistenciale globale, migrantët e ardhshëm luhaten mes shpresës dhe dëshpërimit. Në përgjithësi, ata nuk gëzojnë ndonjë mbështetje institucionale nga shteti kur vendosin të emigrojnë dhe varen nga informacione të mbledhura në mënyrë rastësore, edhe kur nuk manipulohen qëllimisht prej atyre që përfitojnë nga trafiku i njerëzve. Nuk kemi takuar askënd që të ishte përpjekur të mësonte paraprakisht gjuhën e vendit destinacion. Përgatitja gjuhësore kërkon disa vjet, ndërsa vendimi për t’u larguar, sipas biografive që kemi dëgjuar, merret brenda një muaji.

Kjo ndiqet nga një periudhë padukshmërie. Zakonisht, migranti kalon njëfarë kohe si ilegal, ose të paktën jo krejt në pajtim me rregullat: nuk paguan taksa ose sigurime shoqërore, paraqit rekomandime të rreme për punë, nuk ka adresë të regjistruar, etj. Por edhe kur gjithçka është krejt korrekte, ndjenja e fajit mbetet: gjithnjë do të ketë një rregull që nuk është përvetësuar ose ndonjë kërkesë që nuk është plotësuar, çka e vë migrantin në rrezik për t’u dëbuar. Ndjenja e të mospasurit të drejta, e të qenit qytetar i dorës së dytë forcohet nga fakti që, në periudhën fillestare, migranti komunikon vetëm me ndërmjetësin – atë që i gjen punë dhe strehim dhe që luan rolin e përkthyesit në marrëdhëniet me punëdhënësin. Pagat janë të ulëta, puna e përkohshme dhe rraskapitëse dhe java dyzet-orëshe duket si privilegj luksoz. Qëllimi nuk është thjesht të mbijetosh, por të kursesh para, çka mund të arrihet vetëm duke punuar më shumë orë. Të drejtat sociale ose të punës rezervohen për vendësit, jo për të ardhurit rishtas, të cilët ngjallin përbuzje dhe armiqësi ngaqë ulin nivelet e pagave dhe standardet e punësimit në vendin mikpritës.10

Pas kësaj vjen integrimi i ngadalshëm, ekuivok. Kalimi në këtë fazë të dytë nuk do të thotë doemos se janë siguruar dokumentet e nevojshme. Do të thotë vetëm se migranti ka arritur të sigurojë një minimum njohurish, zotësish dhe kontaktesh që të mund të kujdeset vetë për punët e tij – duke përfshirë edhe çfarë Pierre Bourdieu e quan aftësia për të thyer rregullat në pajtim me rregullat.11 Në të njëjtën kohë, plaga simbolike e humbjes së statusit shndërrohet në urrejtje në rritje për vendin mikpritës dhe në kockëzim të identitetit. Horizonti i kthimit vepron si mbrojtje psikologjike ndaj vështirësive të jetës së migrantit. Kjo nuk do të thotë se migranti do të kthehet doemos, por se ai asnjëherë nuk i kushtohet tërësisht jetës lokale, duke e lënë të hapur rrugën për t’u tërhequr.

Më në fund, vjen kthimi “triumfal”. Ata që vendosin – ose që shtrëngohen të vendosin – për të hequr dorë dhe për t’u kthyer në atdhe, kthimin e përjetojnë zakonisht si disfatë. Natyrisht, paraja është masë joekuivoke e suksesit; por sado shumë pará të kesh sjellë me vete, mbetet gjithnjë ndjenja se mund të kishe fituar më shumë. Veç kësaj, shoku i pagave shumë më të ulëta në atdhe shkakton depresion. Migrantët që kthehen në atdhe kanë humbur kohë dhe i kanë ndërprerë lidhjet e dikurshme, çka e vështirëson ri-integrimin; ata tani duhet të jetojnë me kursimet e tyre, që firojnë shpejt. Një reagim kompensues i shpeshtë ndaj kësaj është konsumi i dukshëm, i cili synon të bindë të tjerët se personit i ka ecur mirë. Në shumicën e rasteve, paratë e kursyera me shumë mundim shpenzohen për vetura, apartamente dhe mobilie, dhe vetëm shumë rrallë për të nisur biznese (këtë të fundit e bëjnë vetëm ata që e kishin bërë këtë plan që në krye). Në shumë raste, ri-integrimi është i pamundur dhe migranti largohet sërish: njëlloj si i huaji i Alfred Schütz-it, ai s’kthehet dot kurrë në atdhe, sepse është bërë tashmë i huaj për veten.12

Kësaj trajektoreje tipike të migrantit do t’i shtoj tani disa vrojtime të miat kualitative, për t’i dhënë më shumë peshë antropologjike.

Fati

Rastësia zë çuditërisht vend të madh në biografitë. Në një kuptim, vetë përkufizimi i llojit të migrantit që do të studiohej (ata pa njohuri, kontakte ose zotësi të mëparshme) parakupton nisje të improvizuara. Megjithatë, ne habiteshim kur dëgjonim, nga dhjetëra të intervistuar, se më pak se një muaj kishte kaluar që nga momenti i vendimit (zakonisht i shkaktuar nga humbja e punës) dhe hipja në autobus. Si mund të vendosë dikush që ta ndryshojë jetën e vet kaq shpejt, pa përgatitje dhe pa ndonjë siguri çfarëdo? “Ika me pak pará në xhep dhe numrin e telefonit të një djali të ri, të birit të kushëririt të gjyshes sime, të cilin nuk e njihja personalisht,” tha një grua që kishte migruar në Itali. Ose: “Për fat të mirë, në autobus, takova një grua që doli se ishte e shoqja e një miku të burrit tim.”

Si gjithnjë, kur njerëzit janë të dëshpëruar, koincidencat e mrekullishme dhe aksidentet e pashpjegueshme vijnë e shtohen. Udhëtari që sapo ke takuar të ofron strehim; kalimtari që të pa tek rrije, pa shpresë, në stacion të autobusit në mesnatë, shndërrohet në punëdhënësin tënd të parë. Disa herë kemi dëgjuar historinë e dy shokëve, prej të cilëve njëri kish vite që përgatitej të emigronte, ndërsa tjetri thjesht e kishte shoqëruar. Dhe ja si u erdhi fati: shoku i dytë, ai “ku rafsha mos u vrafsha” (që ndonjëherë e tregon vetë historinë) ia doli të mbijetojë jashtë shtetit, ndërsa tjetri, pedanti, dështoi dhe u kthye me bisht në shalë. Nuk kam ndërmend të merrem me legjendat urbane të migrantëve, por vetëm të theksoj ndjenjën e mungesës së kontrollit ndaj jetës tënde, që është pikërisht ajo që përfton këtë lloj të menduari mitologjik.

Këtu duhet vënë re edhe “pakohshmëria” në të cilën gjenden shumica e migrantëve “të ulët”. Në shumicën e rasteve, punët që kryejnë nuk u përgjigjen shpresave fillestare të njerëzve nga grupet më të larta sociale dhe profesionale: nga pikëpamja e karrierës, nuk ka ndonjë avantazh të grumbullosh vite shërbimi në tregun e punës së zezë. Le të kujtojmë rastin e një studenti që u regjistrua në një universitet të Europës veriore për të fituar të drejtën që të punonte si kamerier: ai nuk punonte që të mund të studionte, por bënte sikur studionte, që të mund të punonte. E vetmja gjë që e tejkalon përfitimin afat-shkurtër është, nga njëra anë, paraja dhe nga ana tjetër, rregullimi i dokumenteve. Migrimi nxjerr në pah edhe një mospërputhje kulturore në perceptimin e kohës dhe të moshës midis Lindjes dhe Perëndimit. Në Bullgari adoleshenca zgjat më shumë, por pastaj njerëzit punojnë deri vonë në jetë; përkundrazi, në vende kapitaliste më të zhvilluara, njerëzit hyjnë në jetën profesionale sa më herët që të jetë e mundur – meqë asnjëherë nuk duhen lejuar boshllëqe në CV – por pastaj hidhen jashtë sistemit shumë më herët. Të jetosh në Perëndim duke ruajtur ritmin bullgar të kohës do të thotë ta dënosh veten me dështim. Zgjidhja për migrantët, të paktën në lëmin imagjinar, është horizonti i ikjes. Çfarë do të bëjmë kur të plakemi dhe të na heqin nga puna? Do të kthehemi në atdhe!

Gjuha

Mosnjohja e gjuhës së vendit mikpritës luan rol me rëndësi kritike në fatin e migrantit. Bullgarët nuk kanë probleme kulturore madhore me integrimin: feja nuk ngre ndonjë peshë kushedi çfarë për ta, jeta e tyre e përditshme ndërtohet mbi imitimin e modeleve perëndimore dhe marrëdhëniet gjinore nuk është se ndryshojnë shumë nga ato në Perëndim. Për këtë arsye gjuha merr rëndësi si cak kulturor.

Midis 40 dhe 50 për qind e bullgarëve deklarojnë se nuk dinë asnjë gjuhë të huaj.13 Natyrisht, kjo nuk do të thotë se aftësitë e 50-60 përqindëshit tjetër janë testuar: gjendja e mjerueshme e mësimdhënies së gjuhëve të huaja në Bullgari dihet. Shumica dërmuese e brezit më të vjetër, që ka studiuar gjatë viteve të socializmit, ka mësuar si gjuhë të huaj rusishten, e cila gjithsesi nuk ndihmon në BE. Nga kjo shifër duhet zbritur edhe rreth një e dhjeta e qytetarëve bullgarë për të cilët gjuhë e dytë është turqishtja ose ndonjë gjuhë tjetër ballkanike. Veç statistikave, ka një faktor strukturor që e redukton ndjeshëm njohjen e gjuhëve: me pak përjashtime, të rinjtë bullgarë nuk i studiojnë gjuhët e vendeve kryesore ku emigrojnë: Spanjë, Itali dhe Greqi. Rezultati është sa i thjeshtë aq edhe i frikshëm. Në shumicën e rasteve, gjuha mësohet pas arritjes në vend, gjatë një ekzistence të dhimbshme, të përkohshme dhe margjinale.

Problemi mund të ilustrohet me një shembull konkret. Ekipi ynë mësoi, jo pa një farë habie, se gratë rumune që punojnë në Itali si kujdestare për të moshuar paguhen një qind euro më shumë në muaj se gratë bullgare në të njëjtat punë. Për një rrogë prej 600-700 eurosh, kjo diferencë është e konsiderueshme. Përtej shpjegimeve kulturaliste dhe stereotipave, arsyeja për diferencën është e rëndomtë: Rumunet kuptojnë pak italisht, për shkak të afrisë mes gjuhëve romane, çka i bën infermiere më të mira, në kushte të barabarta. Gjatë intervistave me punëtorë ndërtimi që kishin punuar në Spanjë,14 mësuam se zotërimi i gjuhës së vendit deri në atë shkallë sa të mund të diskutosh me punëdhënësin pa ndihmën e dikujt tjetri mund të ta ngrejë rrogën deri 50%, meqë ashtu nuk ka më nevojë t’i paguhet ndonjë komision ndërmjetësit.

Bullgarët jashtë shtetit shpesh paguhen diçka për t’u gjetur punë të ardhurve rishtas dhe ndonjëherë edhe i lëshojnë me nën-qira banesat e mjerueshme që kanë marrë ata vetë me qira.15 Kemi dëgjuar shumë histori për të porsa-ardhur që janë grabitur prej bashkatdhetarëve të tyre bullgarë natën e parë që kanë mbërritur; goditje e rëndë, po të kihet parasysh se këta njerëz i mbanin me vete të gjitha paratë që kishin. Që këtej qëndrimi krejtësisht ambivalent ndaj bashkatdhetarëve: nga njëra anë, “punë bullgarësh,” “kështu jemi ne, gjithnjë duam t’ia hedhim njëri-tjetrit”. Nga ana tjetër, “bullgari është bullgar,” “nuk ka njeri tjetër që të ndihmon.”

Roli i ndërmjetësit nuk kufizohet vetëm me gjuhën; një tjetër detyrë kryesore është të ndihmojë me shkeljen e ligjit, duke njohur zbrazëtitë dhe zonat gri. Kjo ka rëndësi të veçantë në Europën jugore, ku asnjë dokument dhe asnjë rekomandim nuk mund të zëvendësojë kontaktin personal. Atje ku marrja në punë gjithnjë bëhet nëpërmjet një vlerësimi ballë për ballë, duhet që dikush të të çojë, fizikisht, për të takuar bosin e ardhshëm. Ndërmjetësit janë zakonisht imigrantë më të moshuar, që e kanë përjetuar tashmë ekzistencën gjysmë-legale, për shembull afrikanë ose shqiptarë në Itali, ose latino-amerikanë në Spanjë. Ata shkaktojnë, te europiano-lindorët, një krizë raciste identiteti të ngjashme me “mjerimet e pozicionit” (misères de position) të cilat i ka parë Bourdieu në periferitë urbane të Francës, ku njerëzit e matin fatin e tyre të keq nëpërmjet paragjykimeve që kanë (“më keq ku të shkosh, të komandon zezaku!”). Një fenomen tjetër është përvijimi i solidariteteve të zbehta rajonale mbi bazë ballkanike, ku serbë, kroatë ose turq të stabilizuar mirë kujdesen për bullgarët e porsa-ardhur. Ndryshe nga ndërmjetësi afrikan, serbi vjen me një ngarkesë emocionale specifike: ai mund të të shfrytëzojë, por megjithatë ai është “yni”. Çuditërisht, solidaritete post-socialiste (p.sh. me rusët ose polakët) ndeshen rrallë, ndoshta për shkak të ndryshimeve në marrëdhëniet që vendosën me BE vendet e ish Bllokut Lindor pas rënies së komunizmit.

Kockëzimi I Stereotipave

Disa kanë argumentuar se përzierja globale, në vend që të shtojë mirëkuptimin dhe tolerancën, ka shumëfishuar kufijtë dhe acaruar konfliktet.16 Çdo ndërveprim kulturor bazohet në stereotipat; vetë esenca e shenjës implikon reduktimin e veçantisë së pafund në një strukturë të thjeshtë që mund ta njohim sa herë që të jetë nevoja.

Kockëzimi për të cilin flas është rezultat jo thjesht i kontakteve fizike më të shpeshta mes njerëzve nga komunitete të ndryshme, por edhe i shpërbërjes së hapësirës publike në të cilën ndodhin këto kontakte. Kjo ka vlerë jo vetëm për gjuhën, por edhe për horizontin e vlerave, rregullave dhe shprehjes së institucionalizuar të interesit publik. Mosbesimi që ushqejnë migrantët ndaj institucioneve është domethënës; si rregull, ata parapëlqejnë të dërgojnë pará në atdhe dorazi me anë të një të panjohuri, më shumë se të përdorin një transfertë bankare,17 e çka, në analizë të fundit, nuk është se u kushton më pak. Nga njëra anë, ndaj migrantëve ka diskriminim; nga ana tjetër, ata tolerohen si burim ekonomik i rëndësishëm, madje edhe përfitojnë periodikisht nga “amnistia”, me fjalë të tjera, u jepet mundësia të sistemohen me dokumente. Kjo gjendje e dyfishtë, e cila veçanërisht mbizotëron në vendet europiano-jugore, redukton koston e punës dhe standardet sociale, duke krijuar një nënshtrueshmëri të përgjithshme.

Një efekt tjetër është acarimi i konflikteve etnike. Këtu i referohem Fredrik Barth-it, i cili realizoi një kthesë kopernikane në të menduarit e këtij koncepti, duke treguar se nuk është identiteti etnik që krijon kufij, por, përkundrazi, janë kufijtë që shkaktojnë eksperienca identitare.18 Me fjalë të tjera, praktikat e lëvizshmërisë, takimi me rivalë dhe lufta për burime projektohen në imagjinatë si diferenca të thella, thelbësore, të cilat kristalizohen në imazhe dhe narrativa.19 Termin “etnik” unë e përdor këtu me kuptimin e mëposhtëm: një imagjinim [fiction] që rezulton nga kufijtë, përplasjet dhe rivalitetet.

Intervistat me migrantët janë burim i pashtershëm stereotipesh, sidomos po të flasësh me gratë. Italianët janë përtacë; gratë ukrainase janë “gati të bëjnë gjithçka që ta mbyllin muajin”; burrat anglezë janë xhentëlmenë të vërtetë, sepse “gjithnjë i paguajnë faturat”, ndërsa gjermanët janë “njerëzit më të këqij në botë.” Ja si i përshkroi një grua e re, që kishte punuar si kameriere në Gjermani:

Janë të llahtarshëm, racë e keqe dhe mendojnë vetëm si të bëhen tapë. Hedhin pordhë, gromësijnë, shfryjnë hundët me zhurmë dhe, sapo shohin një vajzë të re, kërkojnë të flenë me të.

Ndoshta kjo neveri etnike mund të kuptohet më mirë po të përfytyronim si do të ndihej kjo vajzë në një klub në Bullgari, shumë më poshtë nivelit të saj social-kulturor. Urrejtja etnike pakësohet në vende me legjislacion liberal, ku migrantët trajtohen më barazisht dhe si pasojë integrohen më lehtë. Që këtej spanjollët, që deri pak kohë më parë mendoheshin prej bullgarëve si të huaj, ekzotikë dhe të pakuptueshëm, nisën të dalin në intervistat si “më të afërtit me ne”, “jugorë” dhe “që u pëlqen të festojnë”. Përkundrazi, përvoja e legjislacionit të rreptë në Europën e veriut sikur e zhvlerëson kujtimin e aleancave të Bullgarisë me Gjermaninë, ose të kohës kur bullgarët quheshin “prusianët e Ballkanit.”

Hipoteza për përshtatjen e heshtur të identiteteve me praktikat sociale mbështetet nga një hollësi tjetër kureshtare: bullgarët në emigracion shpesh pretendojnë se vijnë nga vende të tjera, me reputacion më të mirë. Meqë për Bullgarinë të tjerët pothuajse nuk dinë asgjë, migrantët huazojnë maskën etnike të vendeve që njihen më mirë, si Serbia, Turqia dhe Rusia. Këtë e ilustron më së miri një histori që e kemi dëgjuar në versione të ndryshme dhe që, pas gjase, s’është veçse legjendë urbane:

Dikush çon një djalë të ri bullgar te një punëdhënës spanjoll. “Nga je ti?” e pyet bosi. “Nga Greqia, vendlindja e filozofisë.” “Oh, shkëlqyeshëm. Kam një bashkatdhetar tëndin këtu, eja ta takosh.” Yni nis të djersijë dhe gjunjët i dridhen teksa i afrohet “Grekut” tjetër, që duket edhe ai i shqetësuar. “Nga tanët je?” mërmërit bullgarisht. Dhe tjetri ia kthen hareshëm: “Shyqyr Zotit, se nuk po dija si të dilja nga ky siklet!” Dhe të dy bashkatdhetarët përqafohen, në sy të punëdhënësit që buzëqesh.

Tele-Familjet

Ka edhe një cak tjetër për shkëmbimin e lirë të njerëzve, parave dhe mallrave, të cilin liberalizmi nuk mund ta shpërfillë: familja. Ti je i lidhur me familjen tënde para dhe përtej kontratës së lirë; çka shtron disa pyetje serioze për lëvizshmërinë globale.

Si mund të gjejnë edhe burri edhe gruaja punë njëkohësisht? Kjo zakonisht nuk ndodh dhe çiftit i duhet të jetojë deri në dhjetë vjet veç e veç, në pritje për familjen të bashkohet, pasi ai që është larguar i pari, të stabilizohet dhe të jetë në gjendje të thërrasë të tjerët. Ndërkohë, i ikuri dërgon pará në shtëpi, sasia e të cilave ndryshon në vartësi të të ardhurave që ka; shpesh një qind euro në muaj konsiderohet si një mbështetje e mirë. Në disa raste, nisja vjen si rezultat i një krize brenda çiftit; në raste të tjera, ajo e nxit krizën dhe ndodhin marrëdhënie paralele.

Një hollësi e papritur që doli nga biografitë ka të bëjë me moshën relativisht të madhe të emigrimit. Në grupin që e përkufizuam si migrantë “të ulët”, kemi ndeshur herë pas here në rastin e mëposhtëm: dikush martohet, bën një fëmijë, pastaj emigron në moshën 30-40 vjeç. Një shpjegim i mundshëm për këtë do të ishte, siç u vërejt, adoleshenca e zgjatur e bullgarëve: të rinjtë jetojnë me prindët deri vonë dhe vetëm pasi martohen fillojnë të përballen me vështirësitë e jetës dhe të kërkojnë për zgjidhje të mrekullishme. Natyrisht, ngjarjet që bëhen shkas për nisjen veprojnë së bashku: ti lind një fëmijë, pastaj punëdhënësi yt i papërgjegjshëm të pushon nga puna.

Sa për fëmijët, ata janë, natyrisht, barrë e rëndë për migrantët. Zakonisht fëmijët nuk mbulohen prej sistemeve të sigurimeve shoqërore dhe, për më tepër, i ekspozojnë migrantët ndaj gjithfarë kontrollesh administrative dhe policore. Pasi largohet nëna,20 fëmija qëndron me gjyshen, që fiton jo vetëm rol dhe vëmendje, por edhe mbështetjen financiare për “shtëpinë ku po rritet fëmija.” Por kjo nuk ka të bëjë me praktikën e vjetër të adoptimit: nëna është e pranishme në jetën e përditshme të fëmijës si një tele-nënë e re, globale, që merr në telefon celular çdo ditë duke përdorur karta me skonto të posaçme, ose, në rastet më të suksesshme, shfaqet e buzëqeshur ose e përlotur në ekranin e Skype. Ajo e pyet të birin se çfarë hëngri për mëngjes, nëse i ka bërë detyrat e shtëpisë, e qorton kur bën faj, aplikon ndëshkime në distancë dhe premton dhurata; me një fjalë, merr pjesë aktive në edukimin e tij. Dramat që ndodhin kur këta tele-fëmijë ribashkohen me nënat e tyre janë të dhimbshme: natyrisht, teknologjia nuk mund ta zëvendësojë praninë fizike; prindi idealizohet dhe shndërrohet në fantazmë.

Në fakt, fëmijët janë thelbësorë për ideologjinë e migrimit: në biografitë, fakti që ata lihen pa prindët për shumë vjet (shpesh gjatë periudhës më të vështirë të jetës) paraqitet si sakrificë “për të mirën e tyre.” Prindët migrojnë në mënyrë që fëmijëve të mos u mungojë asgjë, dhe që të kursejnë për t’u blerë një apartament, në mënyrë që një ditë fëmijët mund të bashkohen me ta në dhé të huaj. Megjithatë, fëmijët e migrantëve me të cilët kemi biseduar duken shumë më pak të gatshëm për të udhëtuar se prindët e tyre. Migrimi është diçka e rëndë, e frikshme, degraduese; atdheu duket më i mirë.

Natyrisht, rruga më e mirë për t’u integruar në mjedisin e huaj është duke u martuar. Kemi ndeshur vetëm në pak raste të tilla, ngaqë kush martohet del nga komuniteti bullgar, ose ngaqë ato nuk përfshihen në përkufizimin e grupit të studiuar: ata që martohen zakonisht mund të komunikojnë, kanë miq dhe marrëdhënie. Endogamia e bullgarëve jashtë shtetit (dhe të komuniteteve të emigrantëve në përgjithësi) ka të bëjë, në masë të madhe, me pagatishmërinë për të investuar në komunikim, për të shpenzuar pará për të ftuar mysafirë, për të bërë dhurata, ose për t’u përshtatur me jetën kulturore të vendit mikpritës. Në Rila, një qytet bullgar banorët e të cilit rregullisht migrojnë në Pamplona, unë pyeta të intervistuarit nëse kishin shkuar ndonjëherë në ndeshjet e demave, që atje tërheqin aq shumë turistët. Përgjigjja ishte jo: ata i përdornin ditët e pushimit gjatë ndeshjeve të demave për të vizituar Bullgarinë, sepse atëherë mund të lëviznin lirisht. Kushton më lirë të ulesh në një stol në park dhe të pish atje birrën që blen në supermarket ose ta festosh Vitin e Ri në dhomën tënde. Problemi nuk është thjesht që ashtu nuk e mëson dot gjuhën (për çka këta njerëz janë të vetëdijshëm), por edhe që ashtu mbetesh jashtë rrjeteve, nuk vendos dot lidhje dhe nuk bën dot miq (për çka ata, përkundrazi, nuk janë të vetëdijshëm).

Jeta e dyfishtë

Ky studim nxori në dritë një pamje mjaft trishtuese. Takuam njerëz jetët e të cilëve ishin ndarë më dysh: nga njëra anë, punë e rëndë, kursim, poshtërim; nga ana tjetër, dëfrim, konsum, krekosje. Një ndryshim i ngjashëm u shkaktua nga ndarja midis punës dhe kohës së lirë gjatë zhvillimit të kapitalizmit industrial në shekullin XIX. Kjo ndarje sot nuk është vetëm kohore, por edhe gjeografike: njerëzit shkojnë jashtë shtetit për të punuar dhe kthehen në atdhe për të shpenzuar. Në një farë kuptimi, turistët nga vendet e pasura lëvizin në drejtim të kundërt, por duke ndjekur të njëjtën strukturë të nënvendosur. Ose, në versionin në distancë: njëri punon jashtë shtetit, të afërmit e tij shpenzojnë në atdhe.

Një nga shkaqet e natyrshme të kësaj dukurie është diferenca midis kostos së punës dhe të mallrave të konsumit: meqë prodhimi kombëtar bruto i Bullgarisë është, në terma relativë, sa një e treta e mesatares së BE, gjithçka që fitohet jashtë shtetit duket dy herë më shumë, dhe gjithçka e shpenzuar në atdhe duket dy herë më e lirë.21 Migranti papritur e sheh veten disa herë më të pasur – të paktën ashtu ndihet (meqë në këto llogaritje nuk mund të përfshijmë vetë-shfrytëzimin, mjerimin, padrejtësinë, ose problemet në jetën private).

Natyrisht, kjo formë të jetuari ka një farë efektshmërie: ajo stimulon ekonominë, u lejon miliona njerëzve të mbijetojnë dhe është praktikuar, për dhjetëvjeçarë, nga italianët ose portugezët në Francë, ose nga meksikanët në ShBA. Në bllokun sovjetik, ajo bashkëjetonte me sistemin e lejeve të qëndrimit dhe migrimit të kushtëzuar.22 Gjatë modernitetit klasik, megjithatë, migrimi kishte një drejtim fiks, meqë atëherë kishte një qendër dhe një periferi, të madhe dhe të vogël, dhe njerëzit synonin të sistemoheshin përgjithnjë, çfarë nënkupton natyralizimin dhe fitimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve vendës. Lëvizshmëria post-moderne e sotme është një luhatje konstante mes dy poleve dhe nuk kuptohet mirë se nga nisen njerëzit dhe ku mbërrijnë. Studenti i këtushëm shkon të vjelë portokalle në fshatin e atjeshëm; mësuesi bëhet infermier për të moshuarit. Natyra e re, rizomatike e hapësirës mund të shihet në itineraret e autobusëve, të cilët nuk nisen më nga Sofja për Madrid, por lidhin drejtpërdrejt mes tyre qendrat e vogla të banuara.

Konceptet

Për të reflektuar rreth lëvizshmërisë së re mund të ndihmojë koncepti i “dispozimit” [dispositive], i përdorur nga Michel Foucault në Discipline and Punish (1975). Në frëngjisht, kjo fjalë do të thotë jo vetëm rregullim teknik, por edhe dislokim i forcave të rendit ose ushtarake: sugjeron lidhjen mes përmasave diskursive dhe hapësinore të pushtetit. Dispozimi disiplinor është, në këtë kuptim, një formacion heterogjen që shkon përtej “epistemës” në Archeology of Knowledge (1966), duke ia shtuar asaj institucionet, sistemimet arkitektonike, territorializimin, taksonomitë, masat legjislative, termat shkencorë, qëndrimet morale dhe kështu me radhë.

Dispozimi i dijes/pushtetit nuk zotëron ndonjë transcendencë. Përkundrazi, është forma vetë e ndërveprimeve shoqërore, pra përfshin edhe pushtetin edhe qëndresën ndaj pushtetit, çka thuhet dhe çka lihet në heshtje, vetëdijen dhe të pavetëdijshmen. Rregullimi liberal i modernitetit shkon edhe më tej: ai nënkupton një farë doze të lirisë, siç shprehet në formulën fiziokratike të laissez-faire. Për Foucault-in, kjo liri liberale e lëvizjes është ana e kundërt e dispozimit të pushtetit. Njerëzit (në këtë rast, migrantët) që lihen të qarkullojnë lirisht ndjekin konfigurimin e realitetit, duke marrë parasysh gjurmët e lëna aty nga vetë dispozimi. Për më tepër, dispozimi është i sistemuar në mënyrë të tillë që të drejtojë rrjedhat e lira të njerëzve.23 Nuk pretendoj të jem veçanërisht origjinal, po të them se lëvizshmëria e sotme e liberalizuar dhe e fuqizuar ecën në një hap me “luftën kundër terrorit”,24 si forma më e dukshme e dispozimit të ri trans-kombëtar të pushtetit. Rrjedha të reja lihen të lira të qarkullojnë rreth linjave dhe kufijve që fiksohen në sistemime të reja.

Kjo anë tjetër e dispozimit disiplinor sugjerohet nga koncepti i “modernitetit likuid”, i përpunuar nga Zygmunt Bauman. Në këtë botë problemet nuk zgjidhen nëpërmjet luftës dhe konfliktit, por nëpërmjet ikjes, arratisjes, rrëshqitjes dhe shmangies.25 Në këtë botë gjithashtu mbretëron pasiguria, ambiguiteti rrënjësor dhe vetë-fshirja e pandërprerë e të gjitha dijeve, e të gjitha besnikërive të mëparshme. Shteti dhe socialiteti, në përgjithësi, “arratisen”26.
Duke ndjekur një invariant të vjetër antropologjik në të gjitha kulturat njerëzore, pushteti është afër kaosit dhe vdekjes: ai kërcënon të lërë të lira forcat e së keqes, nëse nuk i bindesh. Në botën post-nacionale, pushteti kërcënon me zhdukjen e vet: Nuk dëshiron të punosh me pagë më të ulët? Atëherë po e zhvendosim fabrikën në Bangalore.27 Megjithatë, çlirimi i pushtetit nga dispozimi i vet, shkëputja e tij nga lokacioni hapësinor dhe përgjegjësitë ndaj komuniteteve njerëzore që qeveris28, është adoptuar sot nga vetë subjektet. Këtë strategji të rezistencës unë e kam quajtur gjetiu “qytetari fluide”29, e cila praktikohet midis dy poleve, prej të cilave asnjëri nuk është i qëndrueshëm, përfundimtar ose i tillë që t’i tërheqë plotësisht energjitë qytetare. Për qytetarinë fluide çdo problem mund të zgjidhet nëpërmjet ikjes, dhe ka gjithnjë një horizont të gjetiut. Sunduesit ikin për të ndëshkuar dhe pushtuar; të sunduarit ikin për të shpëtuar dhe rezistuar. E parë në këtë mënyrë, kjo është një fitore e mrekullueshme ndaj vdekjes, ose së paku ndaj frikës nga vdekja: jeta kurrë nuk kockëzohet dhe kurrë nuk mbetet fatalisht e lidhur pas tokës që ka njeriu nën këmbë.

The article was contributed by the Albanian Media Institute.

Shih: John Urry, Global Complexity, Polity: Cambridge 2003.

Shih: Tim Richardson, "Making European spaces -- new corridors in Eastern Europe", në: Bittner, R., Wilfried Hachenbroich (eds.), Transit Spaces, Berlin 2006, 50-73; David Morley, Kevin Robins, Spaces of identity: global media, electronic landscapes and cultural boundaries, Londër 1995.

Projekti ishte të grumbullonim histori jetësh gjatë të njëjtit udhëtim me autobus (në Itali, Austri, Gjermani dhe Francë), si dhe të bënim punë në terren, në dy nga qytetet me më shumë migrantë në Bullgari -- Dupnica dhe Rila. Projekti u vu në jetë me mbështetjen e Qendrës Studimore për Shkenca Shoqërore, të Universitetit të Sofjes. Morën pjesë studentët e antropologjisë kulturore Silvia Petrova, Desislava Koleva, Nia Neykova, Anton Georgiev dhe Deyan Petrov; një nga kriteret për ta formuar ekipin ishte që të kishim pasur të gjithë nga pak përvojë migrimi.

Shih projektet "Coming Home" dhe "The Bulgarian Dream", të drejtuara nga Ministria e Ekonomisë, http://www.jobtiger.bg/cominghome/.

Zyrtarisht, në vitin 2006 Bullgaria kishte 7.4 milion banorë. Megjithatë, askush nuk e di me siguri se sa vetë banojnë në vend në një moment të dhënë.

Shih: Dorothy J. Solinger, "China's Floating Population", në: Merle Goldman, Roderick MacFarquhar (eds.), The paradox of China's post-Mao reforms, Harvard edition, World, 1999.

Në lidhje me vlerësimet dhe vështirësitë e një përafrimi të tillë, shih Petya Kabakchieva, "Crossing Borders: Changing Roles, Changing Identities (Temporary Migration as a Form of Socio-Cultural Exchange in the Enlarged EU)", Research paper CAS, Sofje, 2006.

Sipas Departamentit të OKB-së për Demografinë, në vitin 2002, 175 milion vetë jetonin jashtë vendit ku kishin lindur. Shih: Barbara Crossette, "Millions of People Worldwide on the Move", in The Atlantic, 17 maj 2004, http://www.theatlantic.com/foreign/unwire/crossette2004-05-17.htm.

Ky zhvillim u parapri nga migrimi brenda vendit i banorëve të zonave rurale, që arriti kulmin, në Bullgari, midis viteve 1950 dhe 1970.

Ksenofobia proteksioniste është më shumë karakteristikë e të majtëve; ksenofobia e të djathtëve zakonisht ka motive kulturore.

"Nëse do të propozonim një përkufizim kulturor të përsosmërisë, unë do të thoja se kjo është të dish si të luash me rregullën deri në limit, ta shkelësh rregullën sipas rregullave" Pierre Bourdieu, La misère du monde, Paris: Seuil 1993, 82.

Alfred Schütz, L'étranger; l'homme qui revient au pays, Paris: Allia 2003.

P.sh., Dnevnik e dt. 22 shkurt 2007 jep 41 për qind, dhe Darik Radio e 26 janar 2007, 44 për qind.

E kryer në qytetin e Rilës, në Bullgarinë e jugut.

Rasti më pikant ishte i një personi në periferinë "bullgare" të Milanos, që u jepte me qira patriotëve të vet makina të vjetra, të braktisura në anë të rrugës, që këta të kalonin aty natën.

Shih p.sh. Klaus Roth, Kulturwissenschaften und Interkulturelle Kommunikation. Der Beitrag der Volkskunde zur Untersuchung interkultureller Interaktionen. St. Ingbert 2004.

Në një rast, na treguan për "paratë e ëmbla" që një grua ia dërgonte, nga Italia, familjes që kishte në fshatin e Vlladajës. Kujtuam në fillim se kjo shprehje ishte metaforike, por pastaj doli se paratë ishin transportuar në kuti sheqeri, të futura në bagazh.

Fredrik Barth ed., Ethnic groups and boundaries. The social organization of cultural difference, Oslo: Universitetsforlaget 1969.

Më parë, këtë konstruksion të vetes në marrëdhënie dhe në kundërvënie me Tjetrin unë e kam quajtur "lojëra të identitetit". Shih: Ivaylo Ditchev, Borders between Me and Me, Sofia: Bulgarski Pissatel, 1990.

Ndryshe nga rastet e kurbetit për të nxjerrë bukën e gojës gjatë shekullit XIX, migrimi i ri është gjithnjë e më i femërzuar: 60 për qind e personave që lëvizin janë femra, madje në vende si Italia dhe Greqia janë akoma më shumë. Shih: Svetla Kostadinova, "Bulgarian emigrants -- more benefits than losses for Bulgaria", Institute for Market Economy 2005, http://ime.bg/uploads/docs/5f4c0b_Migration_Svetla.pdf.

Do të dëshiroja që ky ushtrim amatoresk në makro-ekonomi të merrej si figurë letrare.

Ivaylo Ditchev, "Communist Urbanization and Conditional Citizenship", in: City, vol. 9, no. 3, 2005.

Shih: Michel Foucault, Dits et écrits II, Gallimard, Paris 2001, 50; po ashtu Gilles Deleuze, "Qu'est-ce qu'un dispositif?," në: Michel Foucault philosophe, Paris: Seuil 1989, 185-195; Louis Philippe Blanchette, Michel Foucault, "Genèse du biopouvoir et dispositifs de sécurité", në: Lex Electronica vol. 11, no 2, 2006, http://www.lex-electronica.org/articles/v11-2/blanchette.htm; pwr territorialitetin, shih R. Sack, Human territoriality. Its theory and history, Cambridge: CUP 1986.

Për të krijuar një ide për natyrën arbitrare, ose të lidhur me pushtetin të frikës nga çfarë sot quhet "terror" në Amerikë, i referohem vlerësimit të gazetës britanike Daily Mirror (në gusht 2006) për gjasat e shkaqeve të vdekjes në Britaninë e Madhe. Shansi për të vdekur në një aksident rrugor është 1/8000; vdekja nga helmimi ushqimor 1/300000; nga mbytja në vaskë, 1/650000; nga rrëzimi nga krevati, 1/8000000; nga një akt terrorist, 1/9300000. Përfytyroni një kryeministër që t'i shpallte luftë rënies nga krevati!

Zygmunt Bauman, Liquid Modernity, Cambridge: Polity 1999, 11.

Anthony Giddens, Runaway World. How globalization is reshaping our lives, London and New York: Routledge 1999.

Kësaj bote të re do t'i shkonte si moto aforizmi cinik i ekonomistit britanik Joan Robinson: "E vetmja gjë më e keqe se të të shfrytëzojnë është të mos të shfrytëzojnë."

Aihwa Ong flet për qytetari fleksibël, duke pasur parasysh "strategjitë dhe synimet e menaxherëve, teknokratëve dhe profesionistëve itinerantë që kërkojnë mënyra për t'i shmangur regjimet e shteteve-komb dhe për t'i shfrytëzuar ato". Shih: Aihwa Ong, Flexible citizenship. The cultural logics of transnationality, Duke University Press, Duhram and London 1999, 112.

Ivaylo Ditchev, "Fluid citizenship. Utopia of Freedom or Reality of Submission?", në: Eurozine, http://www.eurozine.com/articles/2006-02-15-ditchev-en.html

Published 10 August 2012
Original in Bulgarian
Translated by Ardian Vehbiu
First published by Critique and Humanism 25 (2008) (Bulgarian version); Eurozine (Albanian version)

© Ivaylo Ditchev / Critique and Humanism / Albanian Media Institute / Eurozine

PDF/PRINT

Read in: EN / LT / BG / SQ

Published in

Share article

Newsletter

Subscribe to know what’s worth thinking about.

Discussion