Një himn për hibridizimin

Globalizimi dhe paradigma moderne perëndimore

Ndarja e botës në “Perëndim dhe kusur” është një shtrembërim, shkruan Ales Debeljak. Globalizimi kulturor nuk është një transplantim i ideve dhe teknologjive perëndimore në planetin tonë, por përshtatje e tyre në përputhje me kërkesat lokale. Hibridizimi, produkti i një periudhe afatgjatë, qëndron në thelb të paradigmës perëndimore të ditëve tona.

Të flasësh për kulturë në një kohë që kemi krizë ekonomike dhe politike globale duket pothuajse e turpshme. Por unë ngul këmbë në synimin tim. Po paraqes dy arsye për këtë ndërmarrje.

E para është bindja që kam se shkëmbimi i produkteve të krijimtarisë kulturore i shërben jetës së një bashkësie njerëzore dhe i jep domethënie të përkohshme kërkimit tonë për një përvojë më të mirë, më të stërholluar dhe më të plotë të realitetit. Çdo individ ka nevojë të kërkojë domethënie brenda kuadreve kulturorë të mbivendosur, të cilët xixëllojnë – sikur edhe në mënyrë të gënjeshtërt – me bukurinë drithëruese të të tashmes që përjetojmë, si mjet për t’u ruajtur më mirë nga robëria e banalitetit.

Arsyeja e dytë është që kultura nuk përbën thjesht një mjet të volitshëm për rritjen e të ardhurave kombëtare ose lokale bruto: ajo është diçka shumë më tepër se këto.

Kultura është një hapësirë e hapur për lojë dhe kritikë, imagjinatë dhe meditim. Përvojat e veçanta dhe vizionet kolektive fekondohen dhe depërtojnë tek njëri-tjetri, dhe prodhojnë, në këtë mënyrë, ide specifike për ekzistencën njerëzore dhe plotësimin e vetvetes, moshën e kaluar dhe vdekjen. Në fakt kultura është laboratori hijerëndë i domethënies.

Meqenëse s’kam ndërmend të ndaj qimen më katërsh si akademik, do të shprehem troç. Ajo që kam ndërmend kur them “kulturë”, janë veçantitë që karakterizojnë një grup në një kohë të caktuar në një vend të caktuar, ndërsa “qytetërimi” u referohet ideve dhe teknologjive që nuk kufizohen tek një grup i vetëm por që mund të zhvendosen në kohë dhe hapësirë. Kultura e ripërtërin vetveten duke u ushqyer nga parimet detyruese lokale të mendimit dhe veprimit, kurse qytetërimi e shtyn veten përpara me anë të përmirësimit të shpikjeve dhe vënies në provë të mundësisë së zbatimit të tyre në përgjithësi.

Çdo kulturë bazohet në një përzgjedhje prej një katalogu të gjerë, megjithëse jo arbitrar, mundësish narrative dhe lënde të parë domethënieje. Tek kultura që nënkuptohet në këto linja, produktet e krijimtarisë intelektuale si dhe arritjet materiale dhe ceremonitë fetare, zakonet e të ngrënit dhe monologët lirike, gjejnë vendin e tyre të ligjshëm. Por duhet mbajtur parasysh edhe diçka tjetër: aftësia e njerëzve për të zënë me sukses cepat më të shumëllojshëm të një hapësire jetese është e pandashme nga aftësia e tyre për të njohur dallime dhe për t’iu ngjitur atyre domethënie.

Është pikërisht dallimi që ka rëndësi vendimtare për vetëdijen, në mos vetëbesimin, individual ose kolektiv. Çdo farkëtim identiteti varet nga një dallim – dallimi midis meje dhe të tjerëve, familjes sime dhe asaj tjetrës, lagjes sime dhe një tjetre në anën e kundërt të qytetit, popujve dhe kombeve. Dallimi që ngrihet nga vendosja e një kufiri, finis, shndërrohet në përkufizimin e një domethënieje.

Parimi bazë i përkatësisë mund të jetë një e vërtetë sociale e dhënë vetëm nëpërmjet shpikjes, ruajtjes dhe ndryshimit të dallimeve. Këta të fundit ngrenë kufij në mënyrë të përsëritur midis nesh dhe atyre, qofshin ata komunitete rajonalë, kombëtarë, gjuhësorë ose fetarë, ose “tribu urbane” bashkëkohore. Nga ky këndvështrim, del e qartë se kulturat, të nënkuptuara si sisteme të përvojave kolektive të përjetuara, nuk bëhen uniforme automatikisht kur rrethanat ekonomike të botë-jetëve të ndryshme bëhen të ngjashme. Në fund të fundit, edhe teknologjitë moderne të informacionit dhe komunikimit, që përfaqësojnë një realizim sipëror të zbatueshmërisë universale dhe globale, përfshihen në botë-jetë dhe bashkësi lokale të veçanta në mënyrë të ndryshme dhe janë të përshtatura me rrethanat lokale.

Teknologjitë dhe idetë moderne që, mirë a keq, përdoren sot nga të gjitha komunitetet rreth e qark globit, burojnë nga paradigma moderne perëndimore. Që të jem më specifik: paketa bashkëkohore e narrativave dhe instrumenteve me të cilën ne zotërojmë përvojën njerëzore që qeveris botën e ditëve tona lindi vërtet në Evropë, por nuk është më pronë thjesht dhe vetëm e popujve të saj. Sot, absolutisht të gjithë popujt planetit kanë pjesën e tyre në këtë paketë, e në mënyra që shpeshherë përplasen me njëra – tjetrën.

Paketa e ideve moderne

Zgjerimi global i paketës së modernizmit perëndimor u vu për herë të parë në lëvizje kur Evropa hyri në lidhje për herë të parë me Amerikën. Procesi i globalizimit filloi realisht në shek. XVI, pasi lundërtari gjenovez në shërbim të mbretit të Spanjës “zbuloi Botën e Re” gjatë udhëtimit të tij transatlantik për në Indi. Prandaj globalizimi dhe modernizmi janë në të njëjtën qerre dhe hopin e madh drejt së panjohurës e bënë së bashku.

Moderniteti perëndimor, ose mendësia e epokës që lindi me ndihmën prej mamie të Rilindjes dhe humanizmit, protestantizmi dhe kapitalizmi, në fakt mbanin shenjën e një ngjarjeje revolucionare: autoriteti njerëzor zëvendësoi autoritetin hyjnor dhe arsyeja njerëzore zëvendësoi besimin kolektiv, ndërkohë që forca e argumentimit më të mirë triumfoi gradualisht ndaj privilegjeve të trashëgueshme.

Evropa mesjetare kërkonte respektim të pakushtëzuar të dogmës së krishterë dhe te rregullave të Kishës si udhë e vetme drejt së vërtetës. Qasjet e ndryshme drejt kërkimit të domethënies fituan terren nën ombrellën e modernizmit – qasje relativiste që bazoheshin në logjikën racionale të provës dhe gabimit, vëzhgimit empirik dhe përllogaritjes matematike.

Mendja skeptike individuale është e dukshme qartë, ta zëmë, në kulturën holandeze të shek. XVII. Atje, një tipar përcaktues i sistemit mbizotërues të vlerave ishte antiklerikalizmi dhe antifeudalizmi. Këtu s’ka pse të habitemi: ajo mbështetej në rezistencën protestante kundër teologjisë papnore dhe politikës së forcave pushtuese spanjolle të sapolarguara. Ajo përmbante edhe diçka nga vetëbesimi i fituar nga zënia e tokës së çmuar prej Oqeanit Atlantik me anë të projektimit dhe zbatimit të digave. Një nga thëniet e urta të vendit e shpreh mirë këtë qëndrim sfidues: “Botën e krijoi Zoti, kurse Holandën e krijuan holandezët”. Amsterdami dhe portet e tjera holandeze u integruan me shpejtësi në shkëmbimin e produkteve ushtarake, ekonomike, kulturore dhe politike midis botës së vjetër dhe “botës së re”, dhe – në ndryshim të plotë nga Spanja e ngurtë feudale – zhvilluan me po kaq shpejtësi parimet kapitaliste të veprimit.

Çfarë domethënë kjo? E thënë thjesht, dhe pa bërë shumë gabim: në vend që të pyesnin nëse ishte vullnet i zotit kjo apo ajo gjë, tregtarët dhe lundërtarët holandezë donin të dinin nëse “ecte” kjo apo ajo gjë. Një perceptim i tillë funksional i botës nuk kishte rrugë tjetër veçse të lindte pranimin që qëndron në thelb të praktikave sociale moderne: në vend që të ndrydhësh opinionet e ndryshme nga të tuat, ka më tepër leverdi që të mbash një qëndrim tolerant.

Për të ilustruar pikëpamjen tradicionale, monolite “për botën” që mbizotëronte në Evropë gjatë Mesjetës, mjafton të nxjerrësh në pah faktin që artistët e asaj kohe nuk shikoheshin shumë të ndryshëm nga zejtarët e talentuar dhe kryesisht anonimë. Kjo është e kuptueshme, përderisa ata nuk “krijonin nga hiçi”, siç do të na bindë tradita moderne (sidomos ajo romantike). Në kohërat e Mesjetës, aftësia për creatio ex nihilo i lihej vetëm burimit absolut të autoritetit: Zotit.

Krishterimi filloi ta humbte statusin e normës absolute që në kohën e Rilindjes dhe humanizmit. Programet mësimore, të mbështetur në interesin e dalë sërishmi për autorët grekë dhe romakë, buronin nga besimi se autorët e lashtë (paganë) e përfaqësonin më mirë se dijetarët mesjetarë të krishterë majën e arritjeve njerëzore. Pavarësisht se Petrarka dhe Bokaçioja, pionierët e humanizmit, nuk kishin lexuar shumë prej autorëve grekë, dhe as nuk e flisnin rrjedhshëm latinishten, entuziazmi i tyre për autorët e lashtë u përhap nëpër kontinentin e vjetër si flaka në kashtë.

Kur rënia e Kostandinopojës në 1453 i dha fund Perandorisë Romake të Lindjes ose Bizantine, shumë kostandinopolitë grekofonë u strehuan në qytet-shtetet italiane. Ata jo vetëm që e flisnin rrjedhshëm greqishten e vjetër por sollën me vete edhe shumë dorëshkrime të vjetra. Programet mësimore të greqishtes së vjetër dhe latinishtes morën vrull të ri dhe u formalizuan në një mënyrë të tillë që në shek. XVI, në vend të latinishtes mesjetare, gjuhë e komunikimit të folur dhe të shkruar ndërmjet evropianëve të arsimuar u bë latinishtja klasike.

Studimi i veprave klasike, respublica litteraria, konsistonte në lëndë të parashkruara që ishin uniforme në të gjithë Evropën, gjë që kontribuoi shumë për krijimin e një lloj solidariteti tek elitat e arsimuara. Duke qenë në gjendje t’i hidhnin sytë për t’u frymëzuar drejt burimeve klasike, përshkrimi dhe kritika që i bënin ata botës nuk varej më vetën nga respublica Christiana.

Hedhja poshtë e normës absolute të krishterë doli në dritë tek veprat e Bokaçios dhe Petrarkës, të cilat – të shkruara në italishten e përditshme – merreshin me tema popullore të jetës së përditshme, dashurisë dhe erotikës, aventurave në rrugë të madhe dhe epsheve të kuzhinës. Me fjalë të tjera, bota mesjetare u rimodelua si botë moderne nëpërmjet adoptimit simbolik të përvojave të ndryshme dhe stilizimit të përvojës së përjetuar.

Në fund të shek. XV, një shpikje e re, shtypshkronja e Gutenbergut, bëri të mundur botimin e teksteve në greqishte të vjetër dhe latinisht, që më përpara gjendeshin vetëm si dorëshkrime. Uria e tipografëve evropianë për produkte të reja dhe popullore e rriti interesin e tyre për autorët që shkruanin në gjuhët popullore dhe që merreshin me subjekte popullore. Në fillim të shek. XVI, rreth dymijë shtypshkronja në të gjithë Evropën nxitën dhe mundësuan përhapjen marramendëse të ideve, përfshirë edhe ato revolucionare. Që në atë kohë, veprat e Fransua Rabëlesë, Xhefri Çoserit dhe autorëve të tjerë që shkruanin në gjuhët popullore përbënin shumicën e të gjitha punimeve të botuara.

Një tipar i përbashkët i veprave më të mira ndër këta tekste ishte vendosja e njeriut në qendër të vëmendjes, pavarësisht nga toni i tyre fetar. Njeriu, dhe jo Zoti, u bë subjekti kryesor i përshkrimit, dyshimit dhe kritikës.

Joshja drejt lirisë së cilës iu përgjigj njeriu modern, dhe jo pa fërgëlluar nga emocionet, u hulumtua ndoshta në mënyrën më të kthjellët nga Makiaveli dhe Luteri. Ata, secili në mënyrën e tij të veçantë, arritën të kuptonin me largpamësi se vendi i jetës morale nuk ishte më komuniteti por individi. Ekuilibri i brishtë i pushtetit tek çështjet kombëtare dhe ekuilibri i brishtë i shpirtit tek marrëdhëniet njerëzore; që të dy përshkruajnë prirjet e zhvillimit të modernizmit perëndimor, Makiaveli në emër të interesave kombëtare dhe Luteri në emër të çlirimit të vetvetes.

Kushti i parë për një perceptim të tillë të botës ishte ndarja e kishës nga shteti. Në shtetet moderne, kuadret bazë të bashkekzistencës i përcaktojnë kushtetuta dhe ligjet dhe jo doktrinat e një komuniteti fetar a ndonjë tjetri që përcaktojnë kuadret bazë të bashkëjetesës. Të krishterët e sekteve te ndryshme në Evropën e pas Rilindjes arritën të njohin një parim të ri: atë të autonomisë relative që gëzojnë sferat e ndryshme (shkencat, artet, etika). Me fjalë të tjera, në modernizëm rregullat shkencore nuk mund të zbatohen në sferën fetare pa shkaktuar dëm të rëndë njohës; dhe në të njëjtën mënyrë, sferës së artit nuk mund t’i kërkohet të ndjekë parimet fetare.

Ndërsa Rilindja, humanizmi, protestantizmi dhe kapitalizmi shkatërruan unitetin metafizik të botës së krishterë, compleat mapa mundi, binjakët e Iluminizmit dhe Revolucioni Francez siguruan kuadrin ligjor për paradigmën moderne. Duke marrë kurajë prej shembujve të sapodalë të ndryshimit të suksesshëm dhe total, konkretisht çlirimi i trembëdhjetë kolonive amerikane nga Kurora Britanike, Franca vendosi rregulla të reja loje me Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarit. Të dy dokumentet do të kishin qenë të papërfytyrueshëm gjatë ancien régime feudal. Misionarët e iluminizmit nuk e shikonin më botën të mbështetur tek privilegjet që vinin nga gjaku blu dhe traditat e Kishës, por tek barazia e të gjithëve para ligjit të shtetit. Në vend të monarkisë së bekuar nga Zoti, shteti laik dhe qeveria e tij përfaqësuese u bënë organizatorët kryesorë të jetës së përbashkët. cQytetërimi dhe barbaria Qytetërimi modern perëndimor, duke qenë i lindur prej dhimbjeve të revolucionit, është larg prej të qenit monolit. Kjo është e vërtetë gjithashtu edhe kur ai krahasohet me qytetërime të tjera. I ndjeri profesor amerikan, Samuel Huntington, e shikonte botën si “përplasje të qytetërimeve”, ku në pamje të parë qëndron përplasja midis perëndimit dhe islamit.

Gjithsesi, një perceptim i tillë i botës bazohet në një supozim të rremë: që qytetërimet sillen si vende. Mirëpo qytetërimet nuk kanë forcë materiale ose kontroll mbi territore, dhe ata nuk sillen si “lojtarë” të veçantë. Përfaqësim më i saktë i një qytetërimi do të ishte përfytyrimi i tij si një kuadër njohës ose paketë idesh. Dhe idetë gjithmonë kanë udhëtuar nga qytetërimi në qytetërim.

Mendoni për idetë greke dhe romake për ligjin, artin, filozofinë dhe politikën! Ndikimi i tyre vigan mbi imagjinatën moderne perëndimore është i dëshmuar mirë. Për më tepër, ndikimi i tyre mund të vihet re përtej kohës dhe hapësirës së komunitetit që i integroi ato për herë të parë me sukses në ekonominë e tij simbolike. Armenët, hebrenjtë, persianët, egjiptianët dhe popuj të tjerë i përdorën me gjithë zemër këto ide për shekuj të tërë, shumë kohë pasi krijuesit e tyre ishin zhdukur nën rrënojat e perandorive të rëna.

Kufijtë midis qytetërimeve nuk janë as të prerë me thikë, as të padepërtueshëm. Përkundrazi, ata janë vija demarkacioni të lëvizshme dhe të depërtueshme që përshkohen nga proceset e fekondimit dhe stimulimit reciprok, pranimit dhe refuzimit. Qytetërimet janë përjetësisht në kontakt, komunikim dhe konflikt me njëri-tjetrin. Prandaj, të gjithë qytetërimet janë “të papastër” dhe “hibridë”.

Në parim, të gjithë qytetërimet ngurrojnë të pranojnë ide që janë në kundërshtim me opinionin dhe mënyrat mbizotëruese të sjelljes; por shumica e tyre përthith shpikjet që janë premtuese për forcimin e pushtetit, pasurisë dhe prestigjit. Ata ndryshojnë pikërisht në aftësinë e tyre për të njohur premisat e lirisë që vijnë nga komunikimi midis shpikjeve “lokale” dhe “të huaja”.

Ka një numër të madh skeptikësh sidomos midis atyre që do të donin të vinin shenjën e barazimit midis Krishtërimit dhe Evropës moderne, duke e bërë Evropën një terren të krishterë. Prova e njëmendësisë së kësaj teorie paraqitet shpejt dhe pa dhimbje: mundohuni ta llogarisni rrogën tuaj mujore duke përdorur shifra romake!

Shumëkush do të binte dakord që kjo detyrë do të ishte e lodhshme e do të hante shumë kohë. Eleganca e shkathët e shifrave arabe është ku e ku më e mirë. Së bashku me sistemin dhjetor, ato janë një përbërës i domosdoshëm i alfabetizmit modern perëndimor. Myslimanët e Mesjetës, mbretëria e të cilëve shtrihej nga Mesdheu afrikan dhe evropian në perëndim, deri në Iran, Indi dhe Kinë në lindje, i morën këta simbole nga matematikanët indianë. Ata i sollën simbolet në Evropën maure gjatë shek. X. Gjuhët perëndimore e njohin meritën duke i emërtuar me mirënjohje “shifra arabe”, megjithëse as vetë arabët nuk e fshehin origjinën e tyre, por i quajnë “shifra indiane”. Këtu, hibridizimi del në dritë në mënyrën më grafike.

Ndërkohë që Perëndimi modern këputi litarët e vet duke kolonizuar Amerikën e Jugut dhe të Veriut, u vu një proces në lëvizje. Ndërsa kolonët arritën në brigjet e reja nën flamurin e Krishtërimit luftarak, ata ishin tashmë fëmijët e një epoke revolucionare. Nuk ka pse të habitemi, atëherë, që proceset e globalizimit ecën përpara si me shpatën e luftëtarit, ashtu edhe me penën e shkrimtarit. Nuk ka dyshim që Hernan Kortesi dhe konkuistadorët e tjerë kryen gjenocid kundër popujve vendas në emër të epërsisë së krishterë. Por të krishterë të tjerë që zbritën nga anijet në Botën e Re, i denoncuan me trimëri këto krime, dhe i dokumentuan mizoritë me përpikmëri në emër të barazisë së të gjithë njerëzve, qofshin këta evropianë “të qytetëruar” ose “barbarë” vendas.

Bartolome de las Kasas, një bashkëkohës i Kolombit dhe më pas peshkop i parë i Çiapas-it, arriti në Kubë si një djalosh i pispillosur i etur për fitime të shpejta. I tmerruar me torturat që u bëheshin vendasve, ai u fut në urdhrin e murgjve domenikanë dhe më vonë dokumentoi me përpikmëri dhe dënoi kolonializmin në Relacion i shkurtër i shkatërrimit të Indive (1552), një libër që doli në krye të shitjeve dhe u lexua me padurim në të gjithë Evropën. Hernan Kortesi dhe Bartolome de las Kasas përfaqësojnë të dy bashkë fytyrën e vërtetë të qytetërimit modern perëndimor, fytyrën e tij prej Janusi.

Kjo nënkupton gjithashtu se forca e Perëndimit modern qëndron pikërisht tek reflektimi skeptik dhe kritika e arsyetuar. Kjo lindi një pranim që është konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga historia, dhe në mënyrë sidomos të dhimbshme, nga shek. totalitar XX: “Nuk ka dokument qytetërimi që të mos jetë në të njëjtën kohë edhe një dokument barbarie”, gjykoi Walter Benjamin, zëri melankolik i të majtës së pastrehë të Vajmarit duke shkruar si mërgimtar në Paris. Analiza e Benjaminit për përkimin tronditës të mjeshtërisë artistike gjermane dhe katastrofës politike në fakt ndriçon kuadrin strukturor të Perëndimit modern.

Kuadri global i perëndimit modern

Idetë dhe teknologjitë e konceptuara nga Perëndimi modern sot janë bërë globale. Proceset e globalizimit të parë gjatë shek. XVI perandorak, të globalizimit të dytë gjatë shek XIX kolonial dhe të globalizimit të tretë të shek. XXI të korporatave e ndryshuan botën në mënyrë dramatike. Të gjitha grupet kombëtare dhe traditat kulturore janë bërë të ndërvarura nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe informacionit, njerëzve dhe kapitalit, mallrave dhe shërbimeve.

Në vazhdën e këtyre proceseve, idetë e Perëndimit modern u shndërruan në një kuadër të përgjithshëm që qeveris arsyen dhe funksionimin e botës së sotme. Modernizimi dhe perëndimizimi janë binjakë siamezë. Ato shoqëri që hodhën poshtë elemente të rëndësishme të paketës, herët a vonë hasën në pengesa të mëdha, si psh. Bashkimi Sovjetik i djeshëm ose Koreja e Veriut e sotme.

Çfarë përfshin paketa? Për fillestarët, nocionet bazë të hapësirës dhe kohës. Mendoni psh. për sa më poshtë: vitet dhe njësitë më të gjata të kohës maten me kalendarin Gregorian që krishtërimi perëndimor (latin) e projektoi në shek. XVI. Orët dhe njësitë më të shkurtra të kohës maten me sahat, një instrument mekanik që mbështetet në përdorimin e peshave dhe përcjelljen e forcës, i zbuluar nga inxhinierët myslimanë në Evropën maure dhe i përshtatur për përdorim publik nga murgjit e krishterë latinë në Mesjetën e Vonë. Gerard Merkatori, një hartograf i Rilindjes nga Holanda përmirësoi ndjeshëm përfaqësimin hapsinor të botës nëpërmjet shpikjes së globit. Pas një rezistence në fillim, që zgjati për nja 100 vjet, teoria e Merkatorit u pranua edhe në Perandorinë Osmane, që atëherë ishte fuqia më e madhe joevropiane, dhe më pas edhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme islame. Sot, ky kuptim i hapësirës dhe i kohës është fakt për të gjithë globin.

Paketa përfshin edhe gjeografinë politike. Kufijtë midis vendeve duhet, dhe mund, të ndahen në një mënyrë të tillë që ndikon ndjenjën e përkatësisë në grup. Një organizim i tillë i jetës kërkon natyrshëm narrativa simbolike që mund të përdoren nga njerëzit në kërkimin e tyre kolektiv të të mirës së përbashkët.

Perëndimi modern shpiku një numër narrativash të tilla. Midis tyre janë qeverisja përfaqësuese dhe sundimi i ligjit; ndarja e kishës nga shteti; liria e shprehjes, mjeteve të informacionit dhe e mbledhjes; nacionalizmi dhe liberalizmi; individualizmi dhe të drejtat e njeriut; por edhe klerikalizmi dhe komunizmi, nazizmi dhe fashizmi. Gjatë periudhës koloniale, paketa u transplantua, absolutisht e tëra, në dy Amerikat dhe në Australi. Në vende të tjera të botës, edhe elitat lokale më kokëforta u detyruan ta pranonin në mënyrë që të ishin në gjendje të merrnin pjesë në punët administrative ose të fitonin pavarësinë.

Pas fundit të luftës së ftohtë dhe rënies së komunizmit në fund të shek. XX. kapitalizmi modern perëndimor u bë sistem global në mënyrë të padiskutueshme. Ne nuk kemi arsye të vëmë në dyshim praninë e tij në mbarë botën. Megjithatë, kemi arsye të mira për të dyshuar përgjegjësinë e tij të pretenduar për ndarjen e botës në “Perëndim dhe kusur”.

Natyrisht që ideja e dy kampeve kundërshtare që përfshijnë të gjithë njerëzimin është tërheqëse. Mbrojtësit politikisht progresivë të një botë të ndryshme, me gjasa më të drejtë, e konsiderojnë tërheqëse këtë ndarje të thjeshtë sepse ajo krijon hapësirë për moralizim akuzues. Mbrojtësit reaksionarë të përplasjes së qytetërimeve, nga ana tjetër, e kanë të vështirë të heqin qafe arrogancën e hapur dhe përbuzjen ndaj të gjithë popujve, kombeve, dhe kulturave joperëndimore.

Qytetërimi perëndimistik

Në vend që të bëhesh ithtar i ideologjisë që e sheh botën përmes lenteve “të trasha” të konfliktit midis “Perëndimit dhe kusurit të botës”, le të shikojmë një teori që e vështron botën përmes lenteve “të holla” të qytetërimit “perëndimistik”.

Këtu na ndihmon një analogji midis qytetërimit helenistik dhe perëndimistik. Po aq sa nuk mund të krahasohet Greqia klasike me qytetërimin helenistik, edhe Perëndimi modern nuk është e njëjta gjë me qytetërimin perëndimistik. Deri në shek. IV p.e.s dhe në muzgun e qytet-shteteve, qytetërimi klasik grek gjendej brenda kufijve territorialë të Ballkanit jugor. Po në të njëjtën mënyrë, qytetërimi i krishtërimit latin ose perëndimi tradicional gjendej i ngulur fort në vendet e Evropës perëndimore deri në ardhjen e modernizmit.

Qytetërimi helenistik i Aleksandrit të Madh rridhte nga trashëgimia klasike greke, por nga ana territoriale ai shtrihej mbi të gjithë botën që njihnin njerëzit atëherë, duke arritur Egjyptin, dhe Indinë, Taxhikistanin dhe Afganistanin. Po në të njëjtën mënyrë, qytetërimi perëndimistik që është ngritur mbi trashëgiminë moderne perëndimore, përfshin të gjithë botën që njohim sot.

Një shkrirje e veçantë e traditave kulturore të Lindjes së Mesme dhe indo-iraniane, nga njëra anë, dhe traditave të Greqisë së Lashtë, nga ana tjetër, çoi në rritjen e formave të jetës kolektive tek të cilat idetë klasike greke përfaqësonin vetëm shtyllën kurrizore dhe jo të gjithë trupin social. Aleksandri i Madh i zgjeroi sistematikisht edhe kufijtë e perandorisë së tij shumëkombëshe, edhe mendjet e nënshtetasve të tij shumëkulturësh. Ai nxiti “martesat e përziera” midis kolonëve grekë dhe vendasve me të njëjtin entuziazëm që e mbështeti përzierjen e ideve dhe teknologjive greke me ato vendase.

Po kështu, qytetërimi perëndimistik ka natyrë hibride. Shtylla kurrizore e paketës bazë të ideve vjen nga trashëgimia e Perëndimit modern, por shumë prej brinjëve të tij zgjaten drejt të gjithë cepave të planetit. Komunitete të ndryshme në pjesë të ndryshme të planetit i marrin dhe i përshtasin këto ide me mënyrat e tyre të veçanta, meqenëse ata marrin parasysh edhe veçantitë lokale. Një shembull janë zgjedhjet: kjo formë e demokracisë përfaqësuese sot praktikohet në të gjitha vendet e botës, megjithëse ne biem dakord me plot gojën që ky process nuk është i lirë dhe i ndershëm kudo.

Në Greqinë e lashtë, identitetin individual e përcaktonte politika e një qytet-shteti. Ai mishëronte qendrën e botës. Prandaj, ata grekë të vjetër që ishin të angazhuar në tregti dhe ekspedita ushtarake, dhe sidomos ata në kolonitë përtej detit, gjithmonë i kthenin sytë drejt atdheut të tyre, qytetit nga ishin ose metropolit. Në qytetërimin helenistik, origjina e personit nuk përbënte ndonjë problem për ta vrarë mendjen. Tek e fundit, idetë greke u përcollën në botën e jashme nga një ushtri nën komandën e një maqedonasi.

Në këtë perandori që shtrihej në tre kontinente, ku udhëtimet midis kryeqe-ndrave rajonale mund të hanin vite, nevoja për një qendër të vetme u davarit gradualisht. Ideja e metropolit u zëvendësua nga ideja e një qyteti botëror, ose kosmopolis. Ajo kalonte përtej qytetarisë lokale dhe i ofronte përgjigje nevojës së re për identitete, detyrime dhe besnikëri të ndryshme. Në vend të ndjenjave patriotike përjashtuese të përmbajtura në dallimin që grekët e vjetër bënin midis “atdheut dhe botës”, kozmopolitizmi përfshirës helenistik shpreh paradoksin e vetëdijes globale: “Shtëpi është bota”.

Identitetet e ndryshme të njerëzve dhe vendndodhjeve në qytetërimin perë-ndimistik, ndoshta shprehen më mirë në kozmopole të tilla si Marseja dhe Milanoja, Londra dhe Lisbona, Berlini dhe Barcelona. Të gjitha këto qytete kanë rrënjë gjeografike dhe historike në vendet dhe kulturat e perëndimit tradicional, por kanë përfshirë në ekonominë e tyre simbolike dhe faktike shumë elementë joperëndimorë. Nga fastfudi tek muzika dehëse, nga modat tek zakonet sociale ngacmuese, elementët “lokalë” dhe “të huaj” përziehen në cep të rrugës e në zyrë, duke nxjerrë produkte të reja sintetike dhe ide hibride.

Një process i ngjashëm po shpaloset edhe përtej perëndimit tradicional: megalopole të mëdha si Sidnej dhe Saigoni, Kairo dhe Kuala Lumpur, Meksiko dhe Manila janë laboratorë identitetesh të shumëllojshëm. Ndërsa transporti dhe tregtia, shkenca dhe industria, komunikacioni dhe armët, janë me prejardhje krejt nga perëndimi modern, çdo mjedis lokal i përdor ato në përputhje me paragjykimet dhe nevojat, kapacitetet dhe burimet e tij.

Greqishtja e vjetër, lingua franca e botës së helenizuar, mori shumë thekse lokale dhe iu nënshtrua shumë përshtatjeve (jo vetëm të lehta) përmes gjithë asaj kakofonie tribush dhe popujsh, ushtarësh dhe diplomatësh, tregëtarësh dhe pelegrinësh. Ky proces nuk është shumë ndryshe nga përhapja e anglishtes në qytetërimin modern perëndimistik, meqenëse grupe dhe individë të ndryshëm e përdorin atë për shkëmbimin e ideve, mallrave dhe shërbimeve të tyre.

Prandaj qytetërimi perëndimistik nuk nënkupton një model perëndimor që imponohet në mënyrë uniforme në të gjithë planetin e në të njëjtën mënyrë. Ky është supozimi i atyre që përkrahin ndarjen e botës në “Perëndim dhe kusur”, duke i shpjeguar proceset e shkëmbimit kulturor si një rrugicë qorre, në fund të të cilës grabitësi fitimtar (Perëndimi) u zbraz xhepat gjithë të tjerëve.

Nocioni i qytetërimit perëndimistik ka një përmbajtje të ndryshme nga ana njohëse, edhe pse politikisht jopremtuese. Ai është si rrugë me dy kahe, që nxë një tregëti të vrullshme në ideologji dhe teknologji që i ka shpikur perëndimi, por që nuk i zotëron (më) i vetëm. Ose një ilustrim tjetër: idetë dhe teknologjitë e perëndimit modern janë si modele qepjeje që përkufizojnë rregullat bazë të rrobaqepsisë, por nuk diktojnë trashësinë e veshjes ose ngjyrën e penjve.

Mbase shembulli më i mirë i qytetërimit perëndimistik është Japonia: Vendi i Diellit që Lind filloi të përthithë ide perëndimore më shume se para një shekulli. Pasi i asimiloi procedurat administrative, ushtarake dhe industriale të tipit modern perëndimor, Japonia e shmangu fatin e një kolonie të perëndimit dhe u bë për vete një forcë koloniale rajonale. Japonia e përdor paketën e ideve moderne perëndimore në mënyrën e vet unike, duke ia përshtatur ato traditave kulturore lokale.

Frytet e një hibridizimi të tillë Japonia i shndërroi në asortimente fitimprurës eksporti. Për ekspertët këto janë animat dhe mangat, për njerëzit e zakonshëm ato janë karaoke dhe karateja, për elitën e sipërmarrësve janë miniaturizimi industrial, livrimi në kohë dhe prodhimi në masë i mallrave elektronike me çmim të ulët dhe cilësi të lartë. Sekreti i suksesit global të Japonisë qëndron pikërisht në aftësinë e saj për të gërshetuar me kreativitet idetë perëndimore dhe lokale.

Megjithatë, është e pamundur të anashkalohet fakti se shumë njerëz në shume vende të botës e kanë frikë seriozisht globalizimin. Për fat të keq, ekspozimi i njëanshëm i pasojave shkatërrimtare të tregëtisë globale të shërbimeve, produkteve dhe mallrave shpesh çon ujë në mullirin e frikës dhe paranojës në masë. Një mendje e tmerruar nuk bën dot gjë tjetër veçse ta perceptojë globalizimin si një vërshim që kërcënon të fshijë tradita kulturore të ndryshme dhe të veçanta, dhe të kërkojë si reagim koka turku.

Një vështrim më nga afër do të tregojë se shumë kritikë të globalizimit e drejtojnë gishtin prej moralisti dhe rrudhin hundët e tyre të rafinuara ndaj ndonjë stili ndërkombëtar të popullarizuar, psh. hip hopi i adoleshentëve ose harbimet e Madonës, prodhimet me shije të keqe ose filmat e ashpër me policë të Hollivudit. Për të qenë më të saktë: kritikët e globalizimit përdorin shpesh diversitetin kulturor dhe mbrojtjen e identiteteve kolektive (kombëtare) si një lloj perdeje tymi. Ajo zakonisht fsheh ndonjë kalendar politik tjetër: në shumicën e rasteve bëhet fjalë për antikapitalizëm romantik që është afër zellit majtist, ose antiamerikanizëm modern që ushqen litanitë e krahut të djathtë.

Proceset konkrete të globalizimit janë kontradiktore dhe të ndërlikuara, por shkëmbimi ndërkombëtar i ideve dhe teknologjive, simboleve dhe metodave të veprimit rrit dhe zgjeron shumëllojshmërinë kulturore. Nëqoftëse kultura kuptohet si një laborator domethënieje, ku ushqehen komunitetet individuale, atëherë ne duhet të pranojmë procesin elastik të përshtatjes dhe rezistencës, shndërrimeve dhe hibridizimit, ku kufiri midis “të brendshmes” dhe “të huajës” avullon si benzinë e lirë.

Published 14 August 2012
Original in Slovenian
Translated by Artan Puto
First published by Sodobnost 10/2009 (Slovenian verison); Eurozine (Albanian version)

Contributed by Albanian Media Institute © Ales Debeljak / Albanian Media Institute / Eurozine

PDF/PRINT

Read in: SL / EN / HU / SQ

Share article

Newsletter

Subscribe to know what’s worth thinking about.

Discussion